Gjykata e Gjirokastrës la në burg anëtarët e të ashtuquajturës “Banda e Shijakut”, të cilët janë autorët e grabitjes me dhunë të 12 milionë lekeve tri ditë me parë në fshatin Memaliaj.

Seanca u drejtua nga Mirela Ilijopulli, ndërsa prokurori Julijan Çafka ka paraqitur prova dhe argumente se Erald Allushi 23 vjeç, Fatjon Resuli dhe  Armando Reka te tre nga Shijaku janë autorë të grabitjes me dhunë të 12 milionë lekeve në fshatin Memaliaj.

Para oficerëve të policisë gjyqësore, tre të arrestuarit pranuan autorësinë e ngjarjes. Ndërsa nuk kanë folur në momentin e dhënies së provave.

Avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar gjykim të shkurtuar pasi klientët e tyre pranuan autorësinë. Ndërkaq prokurori i çështjes kërkoi burg pa afat për të tre si dhe për Migel Shabanin i shpallur në kërkim.

Gjykatësja ne fund ka vendosur masën e arrestit “Burg pa afat” për të tre të rinjtë si dhe për Migel Shabanin qe vlerësohet te jete organizatori i grabitjes.

Banda e Shijakut dyshohet se ka grabitur edhe banesën e Jani Bashos në Terihat 15 ditë më parë.