Gjykata e Apelit në Gjykatën e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatit duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi dhe 3 ish-anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci, ky i fundit ende në kërkim, të akuzuar për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera e kryer në bashkëpunim. Gëllçi u akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me tenderin RTSH AGRO.
Sipas SPAK, Thoma Gëllçi në kohën kur drejtonte RTSH , ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e kanalit TVSH AGRO. Tenderi me vlerë 86 milionë lekë është zhvilluar në 2018, dhe procedura është shpallur 3 vite përpara se TVSH Agro të fillonte trasmetimin.
Po ashtu, KLSH ka konstatuar sipas SPAK se oferta e dhënë nga kompania e shpallur fituese nuk përmbushte kriteret dhe duhej skualifikuar që në fillim, por në vend të këtij vendimi, Gëllçi dhe tre anëtarët e KVO-së e kanë shpallur tenderin të rregullt.
Në tenderin për blerjen e pajisjeve si kamera etj, kanë qenë dy kompani EURO contact dhe TBS 96. Anëtarët e KVO kanë shpallur fitues kompaninë me ofertën 20 mln lekë më të lartë.