Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 39-vjeçarit Dashamir Xhepa, i cili ka pranuar autorësinë e vrasjes së kunatës së tij, Lirie Xhepa mbrëmjen e 13 Shkurtit.

Ai është shprehur se motiv ka qenë një konflikt për prona si dhe dyshimet për lidhje intime me persona të tjerë. Xhepa u arrestua rreth 2 javë pas ekzekutimit me tre plumba të Lirie Xhepës, pasi u arratis drejt Peshkopisë ku kishte qëndruar në një nga hotelet e qytetit. 

Ai u ndalua në momentin, kur ishte bërë gati për t’u larguar nga Shqipëria. Për këtë arsye u prangos edhe një miku i tij për përkrahje të autorit të krimit, cili do ta largonte me automjetin e tij në drejtim të pikës së Kalimit Kufitar të Bllatës.

Nëna e katër djemve u vra me armë zjarri dhe më pas ishte hedhur në disa shkurre, afër banesës së saj. Ishin banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar policinë mëngjesin e datës 14 shkurt.