Liliana Çika Kosturi është njëskulptore dhe piktore e njohur, dikur specialiste pranë Muzeut të Kulturës Popullore në Durrës. E ka nisur rrugën e artit që në fëmijëri, me vizatime në oborrin e shtëpisë në Tiranë, teksa ëndërronte të bëhej piktore. Më pas, me telajo të bardhë, ngjyra të vërteta dhe me ndihmë profesionale ajo u bë një skulptore dhe piktore profesioniste. Tashmë jeton prej shumë vitesh në Itali, ku dhe po zhvillon karrierën e saj artistike. Gjithsesi shpreson që së shpejti të paraqitet me një ekspozitë edhe në vendin tonë.

Si u bëre e mirëpritur në Itali, Ishte i vështirë për ju ky fillim i ri në vend të huaj?

Vetë jeta është një libër i padukshëm enigmatik, e çdokush kur nis të hapë fletët e këtij libri një e nga një nis të kuptojë, ose më mirë të themi të gjejë rrrugën që ka nisur pak nga pak e të hyjë në rrjedhën e saj, deri sa vjen një moment ku kërkon të shpërthejë, ose më mirë të themi kur kërkon të lërë gjurmë në jetën e tij. Rruga e jetës sime ashtu si për çdo artist, nuk ka qenë e lehtë dhe nuk do të jetë e lehtë deri në fund. Artisti kërkon shumë nga vetvetja dhe nuk është kurrë i kënaqur.

Ç’do të thotë për ju të qënit emigrant?

Në një vend të huaj është e vështirë të hysh në sferat e artit, sepse je i panjohur, pa dikë që ta kesh krah e të të ndihmojë. Çdo gjë zhvillohet ndryshe nga mënyra si jemi mësuar ne, të duket çdo gjë e parritshme. Të duket vetja i vogël, çdo gjë i përket një botë që t’i ke ëndërruar me sytë e mendjes, ose e ke parë në librat e artit që ke mundur të shfletosh. E këtë botë të bukur e ke ndjerë vetëm në vitet kur ke qenë student, kur pedagogët të vlerësonin për atë ç’ka bëje. E kur ndonjë pedagog kuptonte që në brendësinë tënde kishe një zjarr, që herë-herë shpërthen në flakëza të vogla, e që këto flakëza të vogla dalëngadalë me pjekurinë tënde artistike bëhen një zjarr që të djeg brenda dhe dëshiron të shpërthejë, atëherë me të gjitha forcat e tua kupton që kjo flakë e brendshme fillon të shpërthejë e të ngrohë botën që të rrethon e dalëngadalë hyn në botën enigmë.

Si dhe kur filloi karriera juaj në itali?

Jetoj prej 15 vjetësh këtu në Itali. Qyteti im ndodhet ndërmjet Firences dhe Sienës. Punoja në fabrikë si dekoruese. Pas pune vazhdoja përsëri duke krijuar deri në orët e vona të natës. Por në radhë të parë unë jam grua si gjithë të tjerat, me problematikat e jetës, jam nënë dhe bashkëshorte, por harmonia e familjes time më ka krijuar shumë mundësi të merrem me krijimtari, si në Shqipëri ashtu dhe këtu në Itali. Krijimtaria të jep sadisfaksion, gëzim.

Arrita që edhe në fabrikën ku punoja të trasmetoja atë ç’ka unë krijoja, flisja për krijimtarinë time artistike në Shqipëri e për atë ç’ka kisha nisur të krijoja këtu. Nuk ishte aspak e lehtë për mua, sepse ambienti që të rrethon të sheh me një sy tjetër, por me punën time cilësore në fabrikë krijova një opinion të mirë, filluan të më shihnin jo si një person të parëndësishëm, krijova personalitetin tim, por fati im i madh ishte se pronari i fabrikës ku punoja ishte një person me vlera humane, artdashës e i predispozuar të më krijonte mundësi dhe hapësira në pasionin tim, duke më ndihmuar me orarin e punës.

Ju keni hapur një ekspozitë në një kështjellë mesjetare të Italisë. Si ju lindi kjo ide?

Mbas një viti pune krijimtari mora guximin të hap ekspozitën e parë këtu në Itali. Mundësia që m’u dha ishte hapja e saj në një kështjellë mesjetare, në Kastelina in Chianti, vend turistik. Kur e pashë këtë kështjellë nga brenda, mu duk vetja si në ëndërr, organizova me mendjen time gjithë ekspozitën. Fluturoja nga gëzimi.

Atëherë dy djemtë e mi Helisi dhe Kreshniku së bashku me pronarin tim Vittorio Attanasio, iu vunë punës për përgatitjen e piedestalëve. Një piktore, mikja ime përgatiti reklamën që do të vihej në muret e kështjellës. Dikush bisedoi me një poete, që më dedikoi një poezi të mrekullueshme ku të gjithë firmosën.

E vizituan ekspozitën plot turistë shqiptarë, pedagogë arti, shkruajtën në librin e përshtypjeve mbi atë çfarë veprat e mia transmetonin në sytë e tyre. Për dy javë isha zonja e kësaj kështjelle të realizimit të ëndrrës time të parë, isha e rrethuar gjithmonë nga njerëz që vinin apostafat për ta vizituar këtë ekspozitë e për të më uruar për punën time

Të gjithë punëtorët kontribuan për blerjen e një tufe të madhe me lule, të cilën ma dhuruan atë ditë. Pra, gëzimi im ishte i pafund, nuk isha vetëm, në librin e jetës sime u shënua ekspozita e parë e suksesshme larg vendit ku kisha lindur e isha rritur. Krenari edhe për komunitetin shqiptar. E vizituan ekspozitën plot turistë shqiptarë, pedagogë arti, shkruajtën në librin e përshtypjeve mbi atë çfarë veprat e mia transmetonin në sytë e tyre.

Për dy javë isha zonja e kësaj kështjelle të realizimit të ëndrrës time të parë, isha e rrethuar gjithmonë nga njerëz që vinin apostafat për ta vizituar këtë ekspozitë e për të më uruar për punën time.

E fillova me të parën ekspozitë personale, pastaj me ekspozita kolektive. Më pas më ftuan në Arezzo për të marrë pjesë në ekspozitën që i kushtohej atentatit të Kullave Binjake në Nju Jork, ku u vlerësova me çmimin e tretë. Për mua ky çmim ishte një e papritur e madhe, sepse më hapi dyert e galerive të Firences, në parte pallazzio (GUELFA) ekspozitë e artistëve shqiptarë ku morën pjesë 10 artistë, 9 piktorë dhe unë skulptore. Pata nderin me kërkesë të galeristit dhe mbështetjen e shefit të Kulturës në Firence gjithashtu dhe mik i Shqipërisë, Eugjienio Xhani, të paraqitem më një skulpturë personale.

Në sallën e pritjes u paraqita me koleksionin tim të kukullave me kostume popullore, ishte një angazhim dhe nderim për mua. Në inagurimin e ekspozitës nuk mungoi dhe e papritura për të ftuarit. 5 vajza shqiptare i vesha me kostume popullore të realizuara me duart e mia. Isha mëse e lumtur, e rrethuar nga kritikë, artistë, të cilët më përqafonin dhe më bënin intervista. Ekspozitë pas ekspozite karriera ime filloi të merrte krahë.

Mes vizitorëve të zakonshëm, a kanë qenë të pranishëm dhe personalitete të artit në ekspozitën tuaj?

Në ditën e dytë të hapjes së ekspozitës u befasova shumë me ardhjen e artistit abstraksionist, skulptorit me famë ndërkombëtare Giussepe Calonacci. Pasi e vizitoi të gjithë ekspozitën më përqafoi e më uroi për të tjera suksese. Që prej asaj kohe Giussepe ka qenë i pranishëm në gjashtë ekspozitat e mia personale duke më nderuar me praninë e tij.

Duke parë veprat e tua, duket se mbizotëron një pozivitet i caktuar, i cili është sa i ngrohtë aq dhe harmonik. A janë këto anë të karakterit tuaj?

Po, është më se e vërtetë, në veprat e mia mundohem t’i jap jetë trajtimit të formës, që të mbizotërojë mbi të gjitha emocioni i parë që ndjej dhe këtë emocion t’ia transmetoj edhe të tjerëve. E mbi të gjitha kërkoj të vë vulën e identitetit tim.

Nga e merrni frymëzimin?

Frymëzimin për artin tim e gjej në çdo gjë që më emocionon, që më bën të mendoj, që më bën të reflektoj, që më jep gëzim, por edhe trishtim. E gjej në problemet sociale, e gjej në rrënjët e popullit tim, e gjej në nudon e një gruaje, e cila për mua është peisazhi njerëzor, peisazhi i jetës. Jeta është e përbërë nga këto komponentë.

Cilat janë teknikat artistike që keni ushtruar në profesionin tuaj?

Teknikat janë të ndryshme. E fillon me baltën materien e parë, e krijon plastikën tënde. Pastaj këtë plastikë kërkon ta bësh më precioze në gdhendje dru, mermer, gur apo ta pjekësh e ta lesh qeramikë grezo.

Cilat janë ngjyrat e tua të preferuara?

E adhuroj të kuqen në nuanca të ndryshme, por edhe ngjyrat e tjera janë të preferuara.

Çfarë është arti për ju?

Për mua arti është një ëndërr që më ka shoqëruar e do të më shoqërojë gjithë jetën, sepse e dashuroj atë dhe mendoj e jam e bindur plotësisht që zoti ma ka dhuruar. Me mundësitë e mia kërkoj e kërkoj të jetoj bashkë me të, sepse është jetë për mua, është terapia për të ecur përpara.

Kur jeni duke punuar, cili është mendimi që ju shkëput nga vrrulli i punës për t’ju drejtuar për në shtëpi?

Kam fatin e madh që bashkëshorti im është gjthmonë prezent në jetën time. Kur jam duke punuar dua të rri gjithë ditën pa u shkëputur dhe nuk ndjej lodhje, por është dora e tij e dhimbja që kërkon të fshehë, e cila më bën t’i drejtohem shtëpisë.

Cilat janë çmimet me të cilat janë vlerësuar punimet tuaja?

Në jetën time artistike kam marrë shumë çmime të ndryshme, të parë, të tretë, kam marrë shumë targa së fundmi edhe çmim Oskar për Arte Vizive në Monte Karlo. Çmimi im i parë në jetën time është kur në vit të dytë të Akademisë u nderova me një diplomë për nivel profesional dhe kjo diplomë në vitet e para të akademisë më ndjek hap pas hap në jetën time dhe them “Unë e fillova kështu”.

Si qëndisa në kohë rekord flamurin kombëtar

Kujtoj se në atë vit festohej 80 vjetori i pavarësisë. Në qytetin e Durrësit filluan përgatitjet për ekspozitën, që do të hapej me këtë rast. Isha specialiste e Muzeut të Kulturës Popullore në atë kohë, e kështu së bashku me drejtuesin e muzeumeve më priste një punë e madhe. Materialet, dokumentet historike, reliket e fotot e shumta të veprimtarive të patriotëve i kishte mbledhur gjatë viteve me punën hulumtuese Doktori i Shkencave, Sali Hidri. E unë këto materiale duhej t’i ekspozoja e të ndërtoja stenda të ndryshme me foto e të kompozoja të gjithë materialin. Por diçka e madhe historike mungonte, simboli i Atdheut, flamuri. Brenda pak ditësh më duhej të qëndisja flamurin. Punoja natën, ishin kohë të vështira. Me qiri e me gishta që më bëheshin gjak. Është emocionuese të kujtosh, ato ditë e netë i përjetova me emocion duke ia dalë mbanë. Kur e përfundova i qepa dhe bordurën e verdhë, e hekurosa dhe nuk arrija t’i besoja syve të mi. Kur erdhën dy shokët e drejtorisë për ta marrë, unë dola tek dera me flamurin e palosur me kujdes dhe e zgjata me të dy duart dhe me zë të lodhur, por e mallëngjyer në shpirt i thashë: “Marigoja e qëndisi flamurin”. Isha e lumtur atë ditë të nëntorit 1992, sepse unë përjetova përvjetorin e pavarësisë së atdheut tim. Unë, Marigoja me origjinë nga Mitrovica.