Nga Gëzim Kabashi
Liliana Çika është rikthyer këto ditë në Durrës me një ekspozitë të pazakontë.
Muzeu Arkeologjik i qytetit, vendi ku ajo nisi rrugën e vështirë të artit menjëherë pas diplomimit në degën e skulpturës monumentale, ka mikpritur zonjën artiste që bashkë me sfidën e pikturës, lufton çdo ditë në një betejë tjetër.
Askush nuk do ta besonte se piktorja që vazhdon t'i japë jetë tablove me kompozime e peizazhe apo boceteve të shumta skulpturore vuan që prej 15 vitesh nga sëmundja e Parkinsonit.
Shenjat e para shfaqen pas një tragjedie familjare, që shenjon jetën e të gjithë familjes. Veç të atit dhe vëllait, humbja e njërit prej fëmijëve në një aksident rrugor, godet më së shumti shpirtin e ndjeshëm të nënës dhe artistes.
Duket sikur gjithçka është errësuar përfundimisht, por Liliana, Lili, siç e thërrasin shoqet dhe familjarët, e kërkon dritën tek arti i saj.
“Jam gjithmonë në luftë me sëmundjen time, por falë artit e shoh jetën ndryshe, e shoh pa frikë për momentet jo të mira që më shfaqen papritur – i shkruan Liliana një miku të saj në atdhe, duke dëshmuar se arma kryesore tashmë është piktura.
Megjithëse në karrike me rrota, Lili Çika ndjehet e lumtur kur në ditën e përurimit të ekspozitës në Durrës rrethohet nga kolegët dhe miqtë.
Kujton kohën kur bashkë me ta punonte skulpturat urbane që instaloheshin në parqet e qytetit, kur brenda tre netësh qëndiste flamurin kombëtar, si Marigoja e Vlorës, apo kur punonte në oborrin e shtëpisë së fshatit bocetet e para të punimeve të ardhshme.
Vojsava Nelo, poetesha, u tregon të pranishmëve njohjen dhe bashkëpunimin e rastësishëm me Lili Çikën, e cila kishte ardhur nga Italia me një vepër të frymëzuar nga një poezi e saj.
Më pas të dyja mikeshat nuk u ndanë nga njera tjetra dhe një vëllim poetik i Vojsava Nelos në proçes botimi ka në faqet e tij 15 riprodhime tablosh të punuara nga Lili Çika, me tema të frymëzuara nga po aq poezi.
Lili Çika, nga Durrësi në Poggibonsi
Në vitin 2003, vetëm 5 vjet pasi ka emigruar familjarisht në qytetin e Poggibonsit (Toskanë) artistja shqiptare ka realizuar një prej ëndrrave të saj: të përballet drejtpërdrejt me publikun dhe kritikën e specializuar të një vendi me tradita në fushën e kulturës.
”Endrra dhe emocione” titullohej ekspozita e parë e skulptores Liliana Çika Kosturi në Itali. 17 punime në skulpturë dhe afro 20 kostume tradicionale të qëndisura me mjeshtëri prej saj dhe të ekspozuara në keshtjellën mesjetare të Chiantit, tashmë janë një kujtim i bukur i hapave të parë për fillimet e rrugës artistike në Itali.
Më pas ajo e sfidon sëmundjen e rëndë vetëm duke punuar.
Fiton disa çmime të rëndësishme për jetën kulturore-artistike të Italisë: shpallet “Kalorëse e Etrurisë” në konkursin e organizuar nga Akademia e Biellas, ndërsa merr pjesë në konkursin kushtuar aktorit të famshëm italian, Roberto Beninji. Vitin e kaluar vlerësohet me Çmimin e parë ndërkombëtar “Palermo kryeqyteti i kulturës 2018”.
Pikturat e saj zenë vend në koleksionet që nxiten dhe mbajnë emrin e kritikut të famshëm Italian, Vittorio Sgarbi.
Një tjetër kritik i njohur, Paolo Levi shkruan se “artistja rrëfen një histori krejtësisht femërore, herë herë intimiteti, herë të tjera çaste të përditshme të jetuara natyrshëm dhe me bukuri delikate. Ka një botë, një univers të vogël femëror në punimet e Liliana Çikës”-shprehet Levi.
Në Poggibonsi (Toskanë), ku jeton e punon bashkë me familjen, Liliana Çikën e njohin të gjithë.
Për bashkëatdhëtarët ajo është një pikë referimi, jo vetëm për kontributin në organizimin e festave kombëtare, ku sjell kostumet e traditës tonë apo edhe flamurin e qëndisur shqiptar.
Me bojrat dhe telajon në betejë ndaj Parkinsonit
Në mobilerinë e antikuarëve ku skicon e rimodelon veprat e së djeshmes, shoqet e punës i kushtojnë poezi të ndjera që i referohen jo vetëm artistes dhe nënës së përkushtuar, por edhe gruas që bashkë me jetën e saj, lufton për ta bërë më të mirë jetën e të tjerëve.
Telajo dhe bojrat bëhen lajtmotivi i jetës së Lili Çikës, e cila tashmë qëndron më shumë para tablove të ardhshme se sa në karriken me rrota.
“Puna e mban në jetë – tregon i shoqi, Esati, i cili ia ka kushtuar të gjithë kohën përkujdesjes për shoqen e jetës.
Lili gjen veten dhe sëmundjen e përbashkët në lojën e pianistit të shquar italian Ezio Bosso, për të cilin shkruan: “Jam e prekur thellë në shpirt, kur shoh në ekranin e vogël këtë gjeni me dimensione kolosale mendore”.
Ajo vlerëson arritjet në fushën e sëmundjeve neurodegjenerative të një shkencëtari të ri nga Durrësi, të cilin ka patur rast ta njohë që fëmijë.
“Ai që lind me dhunti dhe që di të ecë përpara me sakrificë, durim e përkushtim, një ditë pa e kuptuar arrin që ti japë njerëzimit atë çka sëmundja përpiqet ta shkatërrojë – shkruan Lili në ditarin e saj.
Liliana Çika jeton me shqetësimet e shoqërisë dhe ato të popullit të saj, pavarsisht se çdo ditë e re është një e panjohur për të.
Veprat e saj të fundit i kushtohen thuajse tërësisht universit femëror, nga bukuria deri te drama e saj.
Ato rikthejnë edhe dramën e prostitucionit, me një bocet tashmë të përfunduar dhe që Liliana pret të vendoset edhe në Shqipëri.
Ashtu siç premton edhe për një ekspozitë tjetër në qytetin e Durrësit.