Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit” dy emblemat e jashtëzakonshme të artit dhe kulturës së kombit shqiptar, dy figurat, dy personalitetet që me pasion, përkushtim, vetëmohim dhe punë të palodhur janë kthyer në simbole mbarëkombëtare:

Perëndeshën e valles” Liliana Cingu, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si soliste me nivel të lartë artistik dhe mjeshtëri të veçantë në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit si dhe përçimin e folklorit tonë tek brezat e artistëve të rinj” si dhe “Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj.

Gjatë fjalës së tij drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin miq, kolegë e familjarë të dy artistëve, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, kreu i KLSHsë Bujar Leskaj, deputetë e personalitete të artit e kulturës, presidenti Meta u shpreh se Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e te gjithë shqiptarëve, kudo në botë. 

Solistja Cingu duke shprehur mirënjohjen vuri në dukje se puna të bën që ta ndajë këtë vlerësim e t’ua dedikojë koreografëve, pa koreografitë e të cilëve apo perlat e tyre të valleve nuk do të ishte askush në skenë. 

Koreografi Rexhep Çeliku, pasi mori në dorëzim dekoratën e lartë nga presidenti vuri në dukje se ky vlerësim ishte shumë i vlefshëm jo vetëm për atë, por për të gjithë kolektivin e ansamblit popullor.