TIRANE-"Mezi kam pritur të kthehem në Shqipëri tek publiku im". Kështu shprehet Liljana Kondakçi e cila ka vetëm dy javë që është kthyer në Tiranë pasi ka vuajtur dënimin në burgjet e Italisë. "Jam e dërrmuar, mediat shqiptare nuk janë sjellë mirë me mua. Më mirë janë sjellë mediat italiane", tregon Liljana e ulur në një nga baret e kryeqytetit me shoqet e saj. Nuk ka ndryshuar shumë si pamje duke e krahasuar me fotografitë që qarkullojnë në internet. Eshtë e veshur me të errëta dhe ka vendosur të mos i lërë vështirësitë e jetës ta vënë poshtë, megjithëse pohon se ka burrin shumë sëmurë.
Pak ditë më parë, Nesti Kondakçi, vëllai i këngëtares tha për "Gazeta Shqiptare" se "Lili ka ardhur në Tiranë. Është shumë e shqetësuar për të gjitha ato që janë shkruar dhe që janë thënë në median shqiptare". Sipas vëllait të këngëtares së mirënjohur shqiptare, në media janë publikuar lajme që janë të pavërteta. "Lili është shumë e shqetësuar, sepse janë publikuar lajme që kanë lidhje me jetën e saj private, që nuk janë të vërteta, nuk është e vërtetë se ka probleme me përmbarimin dhe shtëpinë", rrëfeu vëllai i Liljana Kondakçi. Pyetjes nëse ai e ka takuar motrën e tij, ai i përgjigjet: "Po, patjetër që e kam takuar, kur u kthye nga Italia. Por, këto ditë është duke u marrë me problemet e saj, sepse ka burrin sëmurë". Por për të gjithë këtë histori ka edhe të afërm të këngëtares së madhe, që nuk e dinë historinë e saj, siç është nëna e saj. Vëllai i Liljana Kondakçiut pohon se "nënës nuk i kemi treguar asgjë për historinë e Liljanës, sepse ajo është shumë e vjetër dhe i kemi thënë që është në Greqi".
VENDIMI I LIRISE
Pak ditë më parë mediat italiane publikuan lajmin se një prej yjeve të muzikës shqiptare ka përfunduar dënimin me 2 vite dhe tetë muaj burg në Itali për trafik droge. Lajmi është bërë i ditur nga "Gazeta del sud" në Itali, sipas së cilës, këngëtarja shqiptare është riatdhesuar në Shqipëri. E cilësuar si Mina e Shqipërisë, Kondakçi u arrestua në Selanik në vitin 2010, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe u ekstradua më pas në Itali. Mediat në shtetin fqinj shkruajnë se Kondakçiu bënte trafik droge, pasi u shpëtonte kontrolleve policore, duke shfrytëzuar reputacionin e saj si këngëtare. Sipas medias italiane, këngëtarja shqiptare nisi problemet me drejtësinë italiane në verën e vitit 2006, kur u ndalua në stacionin hekurudhor të Sibarit, teksa transportonte tre kilogramë heroinë. Sipas medias italiane, Kondakçi njihej ndryshe me emrin e koduar "mamaja", siç thirrej nga banda, e cila dyshohej se përbëhej nga 20 anëtarë. Po sipas të njëjtave burime, Liljana kishte lidhje me bosin e karteleve të drogës në Shkodër, Fisnik Smalaj.