Sezoni i çmimeve në industrinë e filmit ka nisur të bëhet i nxehtë. Publikimi i nominimeve për çmimet “Bafta” e “Golden Globe” kanë kulmuar me nominimet për “Oscar”. Beteja është interesante në tri ceremonitë e çmimeve, por përballja më e ashpër është në kategorinë kryesore të çmimeve “Oscar”.
Por është diçka që i bashkon të tri ceremonitë. “Argo”, “Life of Pi”, “Lincoln” e “Zero dark thirty” janë filmat të cilët janë nominuar për filmin më të mirë në të tri ceremonitë e ndarjes së çmimeve. Prej rrëfimit për vrasjen e Bin Ladenit, tek udhëtimi i mahnitshëm i vogëlushit Pi me një tigër në një varkë midis detit dhe historisë së shpëtimit të diplomatëve të ngujuar në Iran, ekranizimi i jetës së presidentit Abraham Lincoln me regji të Steven Spielberg, ka filluar t’i jepet epiteti favorit për t’u zgjedhur filmi më i mirë i vitit. Përderisa triumfi i “Lincoln” në “Bafta” e “Golden Globe”, sipas ekspertëve dhe kritikëve të filmit, mund të jetë më i lehtë pasi që gara atje është më e ngushtë, në “Oscar” marrja e trofeut të më të mirit është më e vështirë. Megjithatë ekspertët nuk do të çuditeshin nëse “Lincoln” do të triumfonte bindshëm në natën e 24 shkurtit kur do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscar”. Ai ka 12 nominime.
Kritikët thonë se “Lincoln” ka ndjekur hapat të cilët kërkohen për të triumfuar: i detajuar, i dizajnuar bukur me epokën e luftës civile në Amerikë dhe me rikthimin dominues të Daniel Day-Lewis në rolin e presidentit Abraham Lincol, i cili njihet si presidenti që ka zhdukur skllavërinë. Kritika amerikane e filmit ka tërhequr paralele edhe mes historisë së filmit dhe rizgjedhjes së Obamas për kryetar të SHBA-së dhe politikat e tij.
“Lincoln” llogaritet edhe si filmi më i mirë rikthyes i Spielberg. Kritikët thonë se regjisori është kthyer në filmbërës popullor dhe të diskutueshëm në çarqet intelektuale. Vitin e kaluar Spielberg ishte pretendent me “War Horse”, por “Lincoln” i këtij viti është një kontrast i madh.
“‘War Horse’ më duket sikur e kam parë para 50 viteve”, thotë Wendy Mitchell, redaktor në magazinën e filmit “Screen International”.
“‘Lincoln’ në anën tjetër është aq mirë i hartuar dhe aq i ka bërë të rëndësishme zgjedhjet saqë mund të konsiderohet si asi filmi që Spielberg është munduar ta bëjë me vite”, ka shtuar Mitchell. Ajo njihet për filmin dokumentar të bërë për kongresin Nurembergut në kohën e Hitelrit.
Charles Gant, redaktor i filmit në “Heat magazine”, pajtohet se “Lincoln” ka marrë zemrën e njerëzve, por edhe që ka siguruar votat. “Është asi filmi që rezonin tek krejt amerikanët, një film të cilin të gjithë do ta mbështetnin. Duket sikur ky është shansi më i mirë për Spielberg që të marrë dy çmimet kryesore, atë për filmin më të mirë dhe për regjinë më të mirë”, ka thënë Gant. Spielberg nuk është nominuar në kategorinë për regjisorin më të mirë për çmimet “Bafta”.
Shembulli më i mirë i ngritje-uljeve të sezonit të çmimeve është dhënë nga Kathryn Bigelow me filmin “Zero Dark Thirty” një tjetër film që, sipas kritikëve, vjen si paketë standarde e regjisores. Në të vërtetë, pasi fitoi në vitin 2010 çmimin “Oscar” me filmin “The Hurt Locker”, me “Zero Dark…” Bigelow duket e vendosur për një përsëritje të suksesit të para tre viteve. Por pas vlerësimit maksimal nga “National Board of Review” dhe “Washington Dc Area Film Critics Association” filmi është bërë politikë futbolli, saqë kolumnisti i “The Guardian” Naomi Wolf, e krahason Bigelow me regjisoren e kohës naziste Leni Riefenstahl.
“Filmi i Bigelow ka një sfidë të madhe përpara. Kur anëtarët e Akademisë votojnë ata dëshirojnë të ndihen mirë në raport me filmin e vlerësuar. Kështu kishte ndodhur kur ata ia dhanë çmimin James Cameron. Anëtarët dëshirojnë të rrinë në anën tjetër të historisë së filmit”, thotë Gant.
Përpara se të publikoheshin të nominuarit për “Oscar”, debat i madh ishte bërë mbi mundësinë që studiot e mëdha në Hollywood do të rikthenin namin e tyre pas një beteje të humbur nga studiot e pavarura. “Lincoln” është prodhuar nga “Dreamworks” e “20th Century Fox”, “Argo” është prodhim i “Warner Bros” e “Life of Pi” nga “Fox”.
“Studiot gjithmonë kanë qenë të etura për të bërë drama dhe filmat e tyre janë kryesisht të tillë, por jo gjithmonë kanë qenë të suksesshëm. Por ato janë në garë dhe mund të rikthehen”, thotë Gant.
Megjithatë nuk duket se ky mund të jetë viti i kinemasë amerikane, pas një triumfi të ekranit të madh evropian në dy vjetët e fundit. Amerika nuk ia doli vitin e kaluar. As “Hugo” e as “The Descedants” nuk arritën ta mposhtin “The Artist”.
“Por këtë vit Amerika është duke tentuar ta dëshmojë veten. Megjithatë nuk ndiej ndonjë rigjallërim…”, thotë Gant.