Lind bërthama e reporterëve mjedisorë e turistikë në Durrës. Ata janë të rinj të ndjeshëm ndaj situatës politiko-sociale në vend, po te natyra dhe mjedisi gjejnë mundësi reale për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit, që do e mbajë rininë dhe shqiptarët këtu duke braktisur dëshirën e largimit, emigrimit pakthim. Dashuria për natyrën dhe mjedisin, promovimin dhe mbrojtjen e saj është kthyer tashmë në pjesë të formimit të këtij grupi të rinjsh, kryesisht studentë të universitetit publik “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Ndjehen të angazhuar për t’u bërë reporterë turistik, duke shfrytëzuar sa më mirë gazetarinë lëvizëse, përmes aparateve celulare dhe përdorimit të aplikacioneve dixhitale, për të sjellë para përdoruesve të shumtë të rrjeteve sociale histori rreth natyrës, mjedisit, mbrojtjes së tij dhe turizmit në Shqipëri.
“Jemi studentë nga multimedia, gazetaria dhe biologjia… Natyra dhe mjedisi janë çështje që shpesh anashkalohen nga media në punën e saj të përditshme dhe duhet që ne studentët të mos i lemë pasdore. Është mirë që t’i promovojmë në rrjetet sociale, të cilat janë gjerësisht të përdorshme nga grupmosha të ndryshme dhe veçanërisht nga të rinjtë. Ne kemi bërë video shumë të bukura në parkun kombëtar të Divjakë-Karavastasë”, thotë Enis Mehmeti. Edhe Valentino Boçi, studenti nga Delvina pohon fjalët e Enisit dhe nxiton të na tregojë videon që ka në aparatin e tij celular, ku ngre krye madhështor pelikani dalmat i lagunës së Karavastasë.
Përgjatë një jave të rinjtë janë trajnuar dhe kanë përfituar nga përvoja e specialistëve për të treguar histori mbi mjedisin dhe heronjtë e natyrës, pjesë e të cilëve janë dhe ata vetë. Fokusi i punës së tyre është të nxisin turistët të ndalen e të shijojnë bukuritë e shumta dhe larminë që ofron natyra shqiptare dhe pse në një territor të vogël. Në kërkim të tyre ata kanë konstatuar edhe mjaft problematika, disa prej të cilave dhe të trashëguara, të cilat kanë cenuar natyrën dhe mjedisin, me dashje ose pa dashje.
Aida Meçe është e bindur se duke i nxjerrë në pah këto problematika “institucionet përkatëse do të vihen në punë për të zgjidhur problematikat dhe të ndikojmë në zhvillimin e turizmit duke tërhequr turistët dhe duke i dhënë vlerat që kanë dhe meritojnë parqet tona kombëtare”. Hedhja e plastikës pa kriter në parqet kombëtare dhe bregdet është një nga problemet më të mprehta mjedisor që dëmton në mënyrë afatgjatë mjedisin ndaj reporterët turistikë apelojnë për mbrojtjen e natyrës.
“Ne konstatuam edhe plastikën e pranishme kudo, si në Kepin e Rodonit dhe në parkun e Divjakë-Karavastasë ku qemë në ekspedita këto ditë. Ato shishe plastike duhen hedhur në vendet e caktuara edhe nëse nuk ka kosha për hedhjen e tyre. Ju lutemi, merrini me vete dhe hidhini në vendin më të afërt për depozitimin e tyre.”
Brunilda Liçaj, pedagoge në UAMD dhe një nga specialistet më të mira të turizmit në Durrës, që i ka ndjekur nga afër studentët në këtë rrugëtim të saponisur ndjehet krenare për seriozitetin me të cilin ata punojnë dhe ndjeshmërinë e lartë të shprehur gjatë konstatimit të problematikave në terren. Ajo është e bindur se puna e tyre nuk do të ndalet këtu, po do të vijojë duke krijuar një grup të rinjsh energjikë që raportojnë në mënyrë të vazhdueshme mbi bukuritë e natyrës sonë, por dhe problemet e shkaktuara shpesh nga dora e njeriut.
Vali Qyrfyçi