Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur në Britaninë e Madhe, ku një foshnjë “lindi dy herë” për shkak të një ndërhyrjeje të rrallë kirurgjikale. Lucy Isaac, një mësuese nga Oksfordi, iu nënshtrua një operacioni 5-orësh në javën e 20-të të shtatzënisë për të trajtuar një formë agresive të kancerit të vezoreve.
Kirurgët në spitalin John Radcliffe morën një vendim të guximshëm: përkohësisht ia hoqën mitrën, e cila mbante brenda djalin e saj të palindur, për të hequr qelizat kancerogjene. Mitra qëndroi jashtë trupit për rreth dy orë, ndërsa më pas u rikthye me kujdes në vend, duke i dhënë mundësi jetës të vazhdonte.
Në fund të janarit, pas një shtatzënie të mbushur me rrezik dhe ankth, Lucy solli në jetë të birin, Rafferty Isaac, i cili lindi i shëndetshëm. E veçanta e kësaj historie qëndron në faktin se foshnja “lindi” për herë të parë gjatë operacionit dhe u “rikthye në bark” për të lindur sërish muaj më vonë.
Ngjarja bëhet edhe më prekëse nga fakti se bashkëshorti i saj, Adam, kishte kaluar një transplant veshkash në vitin 2022. “Të mbajmë më në fund Rafferty në krahë pas gjithçkaje që kemi kaluar, ishte momenti më i mahnitshëm,” u shpreh ai për mediat britanike.
Operacioni i rrallë u udhëhoq nga Dr. Soleymani Majd dhe konsiderohet një mrekulli e mjekësisë moderne, pasi është kryer vetëm disa herë në mbarë botën.