ITALI, 18 shkurt 2013– Një grua moldave ka sjellë në jetë një fëmijë, që më pas është gjetur i vdekur në lavatriçe. Ngjarja horror është regjistruar në provincën e Carpit në Itali. Sipas një gazete lokale të Modenës, gruaja është paraqitur dje në mëngjes në urgjencën e spitalit Ramazzini me shumë hemoragji. Mjekët e repartit të Ostetrikës kanë arritur në përfundimin se ajo kishte lindur pak më parë.
Sipas policisë italiane, gruaja e ka mohuar në fillim një gjë të tillë, por më pas ka pranuar se kishte lindur një fëmijë. Kur karabinierët kanë mbërritur në shtëpinë e saj, ku moldavja jetonte me të shoqin dhe djalin, e kanë gjetur foshnjen e porsalindur të vdekur në lavatriçe. Prokuroria e Modenës ka hapur një hetim për të zbardhur të gjithë ngjarjen, ndërkohë që gruaja është ndaluar për vrasje.