Linda Rama bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama ka marrë pjesë këtë të hënë në homazhet për Haxhi Thaçin, babain e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Linda Rama përcolli ngushëllimet për familjen e tyre teksa në fjalën e saj tha se ndodhet sot këtu jo si gruaja e Edi Ramës por si një njeri që e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani.

“Erdha këtu për t’i dhënë lamtumirën bacës Haxhi, me respektin më të thellë, për këtë familje të njehsuar me historinë e Kosovës falë njërit prej tre djemve të tij, Hashimit, po edhe të vëllazëruar me familjen time, përmes Hashimit. Kjo është një ditë e trishtuar. Dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu me ty, nana Hyrë, jo në këmbë të Edit, po në radhë të parë sepse e di mirë se çfarë do të thotë të jesh prind i një politikani, e posaçërisht nëna e një politikani. E kam përjetuar pranë nënës së Edit. Dhe në këtë ditë të trishtuar jam këtu, me të gjithë familjen tuaj, të cilës sot i mungojnë dy burra.


E di edhe më mirë se çfarë do të thotë të jesh bashkëshortja e një politikani, aq më tepër e një udhëheqësi, aty ku fryjnë dhe nuk pushojnë erërat e forta. E përjetoj çdo ditë”, tha Linda Rama.

Më tej ajo shprehu edhe trishtimin për mungesën e ish-presidentin Thaçi në një ditë të tillë.

“Por çka nuk di dot fare në këtë ditë kaq të trishtuar është se ç’do të thotë të kesh fëmijën me pushkë në dorë, duke luftuar nëpër male, apo rob të atdhedashurisë së vet diku larg, në një vend pa qiell, e për askush nuk e di se sa kohë. Duhet të jetë një ankth i pambarimtë. Ndaj nuk më mbajti dot vendi atje në Tiranë, po desha të jem këtu sot, pranë nënës dhe gruas së Hashimit. Nënës dhe bashkëshortes së komandantit, siç i thërrasim gjithnjë dhe në shtëpi, i cili në këtë ditë ndarjeje të dhimbshme duhet të vijojë të jetë larg, në luftë.

Nuk besoj se një mungesë mund të jetë dot kaq herë më e madhe se sa prania, në një ditë si kjo. E prandaj ajo rrezaton shumë përtej këtyre mureve, si një këmbanë kujtese për dhimbjen e dhjetëra mijëra prindërve e grave të kësaj toke, po edhe sakrificën e krejt popullit të Kosovës për ta paguar çmimin e lartë të lirisë”, tha Linda Rama.