Muajt e fundit Grupi Parlamentar i PD iu drejtua me një shkresë zyrtare institucioneve ndërkombëtare për sa i përket raporteve që përgatiten për vendin tonë. Në letrën e firmosur prej anëtarëve të grupit, thuhej se Linda Rama si gruaja e kryeministrit të vendit nuk mund të përgatisë raporte për vendin. Sipas tyre cenohet etika dhe objektiviteti profesional.
Por, lidhur me këtë çështje nga studioja e “Opinion” në Tv Klan, Linda Rama thyen heshtjen duke iu përgjigjur akuzave nga ana e opozitës. Ajo cilëson se në letrën zyrtare nuk janë mohuar aftësitë e saj profesionale, duke shtuar se vjen risi në politikën shqiptare.
Sa i përket etikës ajo ripërsëriti deklaratën e saj në vitin 2010, kur thoshte “do të mbështes Edin dhe do të vazhdoj profesionin tim”.
Blendi Fevziu: Ju krijuat një distancë nga roli që patët si gruaja e kreut të opozitës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por sot opozita iu ka akuzuar muajt e fundit që ju hartoni raporte dhe i ka bërë një letër gjithë bordeve, që ju hartoni raporte në të cilat flitet për statusin ekonomik apo gjendjen e Shqipërisë. A është e drejtë që bashkëshortja e kryeministrit të vendit të përgatisë raporte për gjendjen e vendit?
Linda Rama: Faleminderit shumë për pyetjen. Është e vërtetë ky është një zhvillim i muajit të kaluar në mos gabohem ku Grupi Parlamentar i PD me firmën e të gjithë anëtarëve të grupit i drejtoi një letër të gjithë institucioneve ndërkombëtare që kanë prezencën në Shqipëri duke iu kërkuar që të mos më angazhojnë mua në aktivitetin e tyre. Ndërkohë që unë kam 25 vite që punoj në mënyrë të vijueshme me institucionet ndërkombëtare. Tani ka dy momente në atë letër që sipas meje mund të komentohet më shumë.
Blendi Fevziu: Nuk e kam parë letrën, jam marrë vetëm me principin që a duhet të jetë gruaja e kryeministrit të përgatisë raporte për zhvillimin e vendit?