Pas rekrutimit të të rinjve vullnetarë për të bashkëpunuar me strukturat e menaxhimit të mbrojtjes civile, në Njësinë Administrative Ishëm, Durrës, u zhvillua edhe faza e parë e trajnimit. Të rinjtë që iu bashkuan projektit për ngritjen e Skuadrave Vullnetare të Reagimit të Shpejtë (SVRSH), ndoqën trajnimin e zhvilluar nga Agjensia Kombëtare e Mbrojtjes Civile(AKMC) dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura(AKZM).Pjesëmarrës në seancën e trajnimit ishin specialistë dhe drejtues të AKMC në nivel bashkie, specialistë të drejtorisë së Zonave të Mbrojura dhe shëbrimit pyjor, si dhe drejtues vendorë të Bashkisë Durrës.

Vullnetarët u njohën me mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të AKMC dhe situatat emergjente kur kërkohet ndërhyrja e këtyre strukturave. Mbi të gjitha, vullnetarët u pajisën me njohuri se si dhe kur ata mund të kontribuojnë.

Këto skuadra do të jenë partnere të agjencisë në nivel bashkie dhe do të shërbejnë për të sinjalizuar këto struktura në raste problemesh. Ato do të vetëveprojnë në territoret e tyre në ndihmë të komunitetit kur të kenë nevojë, si dhe do të bashkëveprojnë me strukturat shtetërore në zona të tjera, për të dhënë ndihmën e tyre në raste emergjencash.

Ndërsa në demonstrimin praktik, reparti i zjarrfikësve në Durrës, organizoi një situatë emergjence në Shkollën Teknologjike. Për llogari të trajnimit, ata ndërmorën një operacion shpëtimi, në një rast të mundshëm zjarri, ku një grup personash kishin mbetur të bllokuar në tarracën e ndërtesës. Demonstrimi ishte një shpjegim i mrekullueshëm se si duhet të veprojmë në raste të tilla. Vullnetarët e SVRSH iu bashkuan zjarrfikësve në këtë demonstrim, duke marrë pjesë në operacionin e shpëtimit.

Ky është një model i ri i vullnetarizmit që po ngrihet në Shqipëri, në një sektor shumë të ndjeshëm dhe ku nevoja e bashkëpunimit të qytetarëve është vendimtare. Zjarret e përvitshme zbulojnë nevojën e madhe që kanë strukturat shtetërore për ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve, por edhe raste të tilla si tërmeti, sërish zbuluan nevojën e këtij bashkëpunimi.

Projekti “Vullnetarizmi rinor, si mundësi aktivizimi dhe angazhimi në dobi të komunitetit lokal” mbështetet nga Lëviz Albania, me financiam të Qeverisë së Zvicrës dhe zbatohet nga organizatat Forumi i Mendimit të Lirë, në bashkëpunim me organizatat partnere lokale. Në Durrës është  CSDC “Qendra e Zhvillimit të Shoqërise Civile”, si organizatë zbatuese.