Të gjithë ata prindër që nuk kanë mundësi të marrin me para nën dorë librat e fëmijëve të tyre dhe janë të kategorizuar te pjesa e familjeve që iu rimbursohen librat nga shteti, t’i marrin ato falas te distributori, kundrejt kuponit tatimor. Më pas do të jetë Drejtoria Arsimore që do të bëjë rimbursimin e këtyre teksteve shkollore.

Këtë deklaratë dha drejtoresha e Arsimit në Durrës Lindita Muka, pak para nisjes së fillimvitit shkollor, për të gjithë ato familje të cilat nuk kanë mundësi që me para nën dorë të blejnë tekstet shkollore të fëmijëve të tyre në arsimin e detyrueshëm.

Lindita Muka tha se i është kërkuar distributorëve të librit shkollor që t’iu japin atyre familjeve që nuk kanë të holla në dorë tekstet shkollore, dhe më pas do t’u rimbursohet nga ana e Drejtorisë Arsimore  vlera e çdo kompleti tekstesh shkollore.

Por përveç komunitetit egjiptian, asnjë kategori tjetër nuk i përfiton deri tani tekstet shkollore falas, distributorët nuk shpërndajnë tekste pa para nën dorë, duke bërë që shumë familje që nuk kanë asnjë mundësi ekonomike apo paratë në dorë, të mos i marrin librat e fëmijëve të tyre për ditën e parë të shkollës.  

K.H.