Drejtoria e Hekurudhës pritet të hapë në fund të muajit shkurt tenderin me vlerë 100 milion euro, për rikonstruksionin e linjës hekurudhore Durrës-Rinas-Tiranë me gjatësi 34.2km.

Fondi është gati (90.45 milionë euro, plus 6 milionë vlerë e TVSH-së) dhe investimi për këtë projekt është siguruar nga grantet e donatorëve dhe kreditë e huaja.

Lajmi është konfirmuar nga nëndrejtori i hekurudhës, Leonard Jani, i cili në një prononcim për DurrësLajm tha se paralelisht po punohet për të përfunduar projektin prej 4 km, që treni të ketë stacion fundor Tiranën dhe jo rrethinat e tij. Procedurat tenderuese do të kryhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës në Durrës dhe për këtë qëllim është ngritur edhe njësia tenderuese.

Drejtoria e Hekurudhave ka rënë dakord me qeverinë që paralel me zbatimin e projetit të rikonstruksionit të linjës hekurudhore të bëhet edhe një stacion në mbyllje të Bulevardit të Tiranës.

Projekti i zgjatimit të hekurudhës me 4 km, deri në bulevardin e Tiranës si stacion fundor, po bëhet falë një fondi prej 500 mijë eurosh.

Financuesit kanë vendosur që linja hekurudhore të lidhë Durrësin me Tiranën dhe në kilometrin e 28 të bëhet shkëmbimi i trenave pranë Rinasit.

Linja hekurudhore përfshin largimin e trenave me naftë përfundimisht dhe zëvendësimn e tyre me trena elektrikë në linjën Durrës-Rinas-Tiranë e anasjelltas.

K.H.