Në prag të sezonit turistik, aeroportit “Nënë Tereza” i është shtuar edhe një linjë e re direkte Tiranë-Kretë, e cila u vjen në ndihmë edhe bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Greqi. Krahas linjave direkte me Athinën dhe Kretën, shumë shpejt do të shtohen edhe fluturimet nga Tirana drejt Selanikut dhe Mykonos.

Në ceremoninë e uljes së avionit të parë të linjës, ka qenë i pranishëm kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Është patjetër një lajm i mirë për sezonin turistik, për turistët, qoftë në Kretë, qoftë në Tiranë, por edhe për turistët evropianë e amerikanë, që vizitojnë gjithë zonën e Ballkanit dhe e kanë mundësinë t’i shohin të dyja vendet. Ama, është një lajm fantastik edhe për komunitetin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve që jetojnë në Kretë, të cilët janë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Greqisë”, tha Veliaj.

Ndër të tjera Veliaj foli edhe për fluturime në Mykonos dhe Selanik.

“Sot kemi realitetin e këtij fluturimi që na lidh me fqinjët tanë, me Greqinë, dhe sigurisht dy udhëtimet e tjera në Mykonos dhe Selanik do të na afrojnë edhe më shumë”-tha ai.

Sakaq, Sarantis Moschovis, përfaqësues i Ambasadës së Greqisë në Shqipëri vlerësoi kontributin e shqiptarëve në shoqërinë greke dhe nivelin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Nuk duhet të harrojmë kontributin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe sjellin reminitancat në Shqipëri. Perspektiva për të shtuar më tepër zhvillimin e rrjedhës së turizmit dhe marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, janë shumë premtuese.”, theksoi Sarantis Moschovis.