DURRËS, 31 tetor 2014 – Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) sha ka nisur investimin për shtrimin e linjës së re të furnizimit me ujë të pijshëm për Kodër Vilë dhe zonën te Çezmja e Ferrës, njoftoi zëdhënësi z. Aleks Kalemasi.
Me fonde të vetë ndërmarrjes u hapën kanalet për shtrimin e tubacioneve 110 mm dhe 90 mm në linja kryesore të shpërndarjes.
Bëhet fjalë për një zonë, ku do të përmirësohet ndjeshëm furnizimi me ujë të pijshëm në rreth 800 shtëpi që janë ndërtuar gjatë viteve të fundit në pjesën veriore të kodrës së vilës drejt fabrikës së tullave dhe Çezmës së Ferrës.
Në total janë shtrirë 700 metër linear tubacion kryesor 110 mm dhe 90 mm, si dhe 200 metër linear kanalizime sekondare tub 63 mm.
Përgjegjësi i sektorit të mirëmbajtjes pranë Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës Gerald Dautaj shprehet për këtë investim se banorët që ndodhen në këto zona i kanë pasur shumë larg pikat e marrjes së ujit dhe tashmë përmirësohet ndjeshëm mënyra dhe cilësia e këtij shërbimi.
Paralelisht me shtrirjen e linjës stafi i UKD-së po instalon edhe 14 kaseta të përbashkëta ku do të vendosen matësit e ujit për familjet që nuk kanë kontrata për furnizimin me ujë të pijshëm.
Një investim i ngjashëm pritet të realizohet shumë shpejt edhe në kodrën e Rrashbullit dhe Arapaj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





