Humbja me Malagën ka kthyer tensionin në radhët e Barcelonës ku tani duket se ekziston një problem që e ka emrin Lionel Mesi. Sipas mediave spanjolle, ky i fundit ka identifikuar lojtarët të cilët sipas tij nuk janë në lartësinë e Barcelonës ndaj kërkon mosaktivizimin apo largimin e tyre.Sipas mediave në Spanjë, Mesi pas ndeshjes i ka kërkuar llogari Luis Enrikes se pse aktivizoi në duelin ndaj Malagës futbollistët Andre Gomes, Zheremi Matië dhe Denis Suarez. Ndërkaq, mendohet se ai ka bërë të qartë se në sezonin e ardhshëm nuk do të dëshironte si shokë skuadre Arda Turan, Zheremi Matië, Andre Gomes, Lukas Dinje dhe Pako Alkaser.
Por çështja nuk mbyllet këtu, pasi Mesi ka dhënë edhe mendimin e tij se kush duhet të jenë objektivat e klubit në verë. Bernardo Silva dhe Kilian Mbape të Monakos, Hektor Bejerin i Arsenalit, Vinicius Zhunior dhe Ousman Dembele të Borusia Dortmund janë futbollistët që ai do të dëshironte të shihte si shokë skuadre në “Kamp Nou”.