ROME  – "Ne të gjithë mund të kontribuojmë për të ndalur vdekshmërinë foshnjore”. Ky është mesazhi i dhënë nga asi argjentinas Leo Messi. Messi, përmes një videomesazhi, ka lëshuar apelin për të intensifikuar urgjentisht përpjekjet për të shpëtuar jetën e mijëra fëmijëve që vdesin çdo vit prej shkaqeve që mund të parandalohen. Ylli i futbollit u bë baba për herë të parë këtë vit

Pavarësisht progresit të bërë për uljen e vdekshmërisë foshnjore, rreth 19 mijë fëmijë, nën 5 vjeç, vdesin çdo ditë për shkak të polmonitit, diaresë apo fruthit. Statistikat e bëra publike nga Unicef tregojnë gjithashtu se për herë të parë në historinë e njerëzimit bota ka njohuritë dhe teknologjirë e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve më në nevojë, e për t’u shpëtuar atyre jetën.

Vdekshmëria foshnjore është ulur në mënyrë të ndjeshme, sepse nga 12 milion fëmijë të vdekur në 1990, regjistrohen 6.9 milion në vitin 2011.

Por ende ka vend për të bërë më shumë e pikërisht për këtë arsye organizata ka angazhuar Lionel Messi për të apeluar mbi këtë temë, duke shpresuar se vendet e ndryshme do të ndërgjegjësohen edhe më shumë për të parandaluar vdekshmërinë foshnjore.

“Këta fëmijë nuk duhet të vdesin, por kjo gjë ndodh. Numri i vdekshmërisë fosnjore duhet të barazohet me zero”,- thotë Messi në videomesazh.

Messi është emëruar Ambasador i Vullnetit të Mirë nga Unicef në mars të vitit 2010 e që nga ajo kohë ka qenë një mbështetës i fortë për fëmijët më të pambrojtur në botë duke kryer misione të shumta në Argjentinë, Kosta Rika dhe Haiti.