Në pritje që gjithçka të bëhet zyrtare, ky është një tjetër triumf personal i sulmuesit të Barcelonës, pas një viti të mbushur me rekorde.
Pritet vetëm zyrtarizimi, por Lionel Messi ka vendosur njërën dorë te "Topi i Artë" dhe pret vetëm ta bëjë pronë të tijin për të katërtin vit radhazi, gjatë ceremonisë zyrtare që do të zhvillohet në ditët e para të janarit.
Mediat spanjolle dhe ato franceze janë të sigurta për këtë. Sipas tyre, organizatorët e "France Football" dhe FIFA-s, të cilët edhe japin trofeun individual më prestigjoz në futboll, i kanë çuar talentit argjentinas ftesën për të vizituar Parisin, ku dhe do të bëjë fotot zyrtare.
Lionel Messi ka mundur në garën për "Topin e Artë" rivalin e tij të drejtpërdrejtë, Cristiano Ronaldo dhe shokun e skuadrës Andres Iniesta, pas votimit të 200 gazetarëve sportivë të akredituar nga "France Football" dhe 400 trajnerëve e kapitenëve të kombëtareve nga e gjithë bota.
Në pritje që gjithçka të bëhet zyrtare, ky është një tjetër triumf personal i sulmuesit të Barcelonës, pas një viti të mbushur me rekorde.
Lionel Messi ka fituar së fundmi vendin e tij në formacionin e vitit në sondazhet e organizuara në të gjithë botën, ndërsa vetëm pak javë më parë theu rekordin historik të Gerd Muller si golashënuesi më i mirë në një vit kalendarik.
Sulmuesi gjerman kishte shënuar 85 gola në vitin 1972, ndërsa Messi jo vetëm e kaloi këtë shifër por duket se me 91 golat e realizuar gjatë këtij viti ka regjistruar një rekord që vështirë se do të thyhet.
Nëse për këtë ka dyshime, i pathyeshëm do të jetë rekordi që mund të zyrtarizohet në fillim të janarit. Askush më parë nuk ka fituar katër herë radhazi "Topin e Artë".