TIRANË, 3 korrik 2013 – Lëkundjet e tokës kanë filluar të “trokasin” dhe afër vendit të ndërtimit të kompleksit hidroenergjetik të Banjës, sikurse ka ndodhur me një ngjarje sizmike në orët e para të 3 korrikut 2013.

Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar në orën 1:7:34 GMT ose 3:7:34 (koha e Shqipërisë) një tërmet të moderuar, me forcë M=3.2 dhe epiqendër në thellësinë 1 km.

Sipas tabelës së departamentit të sizmologjisë së Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të UPT-së, lëkundjet e tokës kanë ndodhur 6 km në vijë ajrore në veri të qytetit të Gramshit (shih etiketën në hartën e parë)

Tërmeti është lokalizuar në koordinatat 40.95° N, 20.07° E (shih shigjetën e gjelbër në hartën e dytë), në kodrat pranë liqenit artificial të veprës hidroenergjetike, midis qyteteve Cërrik dhe Gramsh, në afërsi të fshatit të Banjës e Floqit; (komuna e Klosit), Gostimës (komuna e Gostimës), Topojanit (komuna e Mollasit)

Info/

1.

Komuna e Klosit përfshin fshatrat Klos, Selvias, Qyrkan, Lumas, Qafë, Floq, Trunc, Banjë; komuna e Gostimës përfshin fshatrat Çartalloz, Gostimë, Gjyral, Malasej, Shtepanj, Shtërmen, Shushicë; komuna e Mollasit përfshin fshatrat Mollas, Selitë, Kamunah, Dragot, Topojan, Linas.

Historia e hidrocentralit të Banjës

2.

Hidrocentrali i Banjës u studiua dhe u projektua nga ish-Instituti i Studimeve e Projektimeve Nr. 3 të Tiranës, si kompleksi hidroenergjetik i Banjës, vepër, e cila filloi të ndërtohej më 15 qershor 1986, mbi lumin Devoll rreth 25 km. larg qytetit të Elbasanit dhe rreth 15 km. larg qytetit të Gramshit, do të prodhonte 250 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit; në vitin 1990 punimet kishin arritur në 50 për qind; më 21 nëntor 2007 është zhvilluar tenderi për shfrytëzimin me koncesion të rezervës hidrike të lumit Devoll; EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropower kanë nënshkruar marrëveshje koncesioni që në 2009 për projektimin, financimin, ndërtimin, pronësinë, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit hidroenergjetik mbi lumin e Devollit; ndërtimi i hidrocentraleve është planifikuar të nisë në vitin 2013 dhe do të zgjasë në total rreth 6 vjet; hidrocentrali i parë do futet në operim në vitin 2016 dhe i fundit në vitin 2019.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/