Rrënojat e Kukësit të vjetër, të zhytura nën ujë prej më shumë se katër dekadash, kanë dalë sërish në sipërfaqe.

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka rënë me dhjetëra metra, duke zbuluar themele shtëpish, rrugë të vjetra, ura dhe monumente të zhdukura. Ky është monumenti i mbretit Zog. Banorët thonë se nuk kanë parë kurrë liqenin kaq bosh.

“Edhe tokat po çahen nga thatësira. Po s’ra shi, frikë kemi që do zbresë edhe më poshtë.”

Rënia e nivelit të ujit sjell pasoja për furnizimin me energji dhe kosto për ekonominë kombëtare, por edhe për atë lokale, që jeton nga peshkimi e bujqësia.

“Ka mbetur shumë pak ujë, varkat s’mund t’i lëshojmë dot. Peshku është zhdukur. Aty ku ishin rrjetat, tani është tokë e thatë.”

Nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare mësohet se niveli ka zbritur nën 252 metra, pak mbi kuotën kritike prej 240 metrash, e njohur si “pika e vdekjes”, momenti kur prodhimi i energjisë ndalon.
Niveli optimal është 271 metra.

KESH po ndjek situatën, ndërsa reshjet e pakta të tetorit nuk kanë arritur ta kthejnë liqenin në nivelet normale, dhe aktualisht në Fierzë po punohet vetëm me një agregat për prodhimin e energjisë.

“Në këtë pikë të liqenit, ku disa javë më parë uji mbulonte gjithë këtë sipërfaqe, sot shihet qartë tërheqja e tij me dhjetëra metra. Rënia e nivelit të ujit po reflekton jo vetëm në pamjen e liqenit, por edhe në jetën e përditshme të banorëve që varen prej tij, nga peshkimi, bujqësia apo edhe furnizimi me ujë për bagëtinë.”

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e reshjeve po kthehet në problem ciklik dhe kërkon menaxhim më të kujdesshëm të burimeve ujore e diversifikim të prodhimit të energjisë.

Me një prodhim mesatar prej 1.3 teravat/orë në vit, Fierzë mbulon gati një të pestën e nevojës kombëtare për energji, çka e bën shqetësuese rënien e nivelit të ujit. /tvklan