Në fshatin Liqenas, në Korçë, Spase Tërpo kontrollon nivelin e liqenit të Prespës së Madhe.
Detyra e tij është të masë rregullisht nivelin e reshjeve dhe të ujit, që fatkeqësisht ditë e përditë po japin sinjale shqetësuese. Ai është brezi i tretë i familjes së tij, që është i lidhur ngushtësisht me liqenin. Ajo çka nisi si pasion në familjen Tërpo, u kthye më pas në profesion për ta. “Nga viti 1946 dhe këtej, nga matjet që kemi bërë ne, tregon që liqeni ka pasur gjithmonë ndryshime dhe luhatje. Luhatje të mëdha, rritje të mëdha, ka pasur në vitet ’70, kur liqeni ishte 8 metër në lartësi më të madhe se tani. Që nga ai moment, liqeni ka pasur gjithmonë ulje. Tani që po flasim zgjati më tepër ulja e liqenit, pra ka rreth 3-4 vite ose më shumë që po bie”.
Në Institutin e GjeoShkencave në Tiranë, aty ku dhe Tërpo dërgon të dhënat që grumbullon në terren, inxhinierët kanë përllogaritur tkurrjen e vazhdueshme të liqenit të Prespës. “Në Prespën e Madhe kemi sërish një rënie të dukshme dhe zvogëlim të sipërfaqes ujore. Rreth vitit 1967 është llogaritur një sipërfaqe përreth 329 km2, për të dyja Prespat. Në ditët e sotme kemi një sipërfaqe që ka arritur deri në rreth 250 km2. Pra kemi një tkurrje të këtyre dy liqeneve, shumë të madhe” – thekson Emanuela Kiri, hidro-gjeologe pranë këtij Instituti. Prespa e Madhe, sipas Kirit, ka “ushqim” liqenin e Prespës së Vogël, e cila sot është kthyer në një kallamishte.
Derdhjet mbushën shtratin e liqenit
Rreth viteve ’70, lumi Devoll u devijua artificialisht nga rrjedha e tij për të hyrë në Liqenin e Prespës së Vogël, nëpërmjet hapjes së një kanali. Qëllimi parësor ishte për shkaqe bujqësore, pasi uji i liqenit ishte llogaritur për të ujitur të gjithë fushën e Korçës, asokohe me një bujqësi shumë të zhvilluar. Por projekti duket se u nënvlerësua dhe anashkaloi volumin e sedimenteve lumore që do të depozitoheshin në grykëderdhjen e re të lumit. Akumulimi i tyre mbushi shtratin e liqenit.
Rreziku që i kanoset liqenit të Prespës së Madhe sot vjen nga shumë faktorë. Ekspertët thonë se ndër më kryesoret janë rritja e lartë e temperaturave gjatë viteve të fundit, çka shton avullimin, rënia e sasisë së reshjeve si dhe bashkëveprimi me liqenin e Ohrit. “Sa më pak reshje të ketë një viti hidrologjik, aq më shumë ujë marrim nga Prespa, sepse Prespa ka një disfavor ndaj liqenit të Ohrit: ndodhet 150 metër mbi liqenin e Ohrit, në pozicionin gjeografik. Dhe duke qenë se ndahet nga një mal i karstëzuar, pra gëlqeror dhe shumë i çarë, uji kalon lirdhëm në këtë diferencë mes dy liqeve dhe derdhet në liqenin e Ohrit. Çfarë do të thotë kjo? Që Prespa nuk mund të llogaritet si një pellg ujor i pandarë, të paktën në aspektin hidro-gjeologjik” – thekson Kiri. Sipas saj, viti 2002 shënon rënien më të madhe të nivelit të ujit të liqenit të Prespës, rënie prej 8 metra e 79 centimetra. “Ndërsa në ditët e sotme, nga 2019 ne 2022 kemi një rënie prej 0.79 centimetrash. Dhe kjo është goxha e madhe për një periudhë të tillë kohore, sepse po vazhdon. Riardhja nuk po zëvendëson atë që po humbasim”.
Mungon strategjia e qartë në interes të Prespës
Aleksandër Trajçe, drejtues i PPNEA, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Tiranë, thotë se Parku Ndërkufitar i Prespës ka pasur gjithmonë vëmendje të shtuar kombëtare dhe ndërkombëtare, por pa fokus tek liqeni. “Projektet në Prespë nuk është se kanë adresuar drejtpërdrejt ose nuk është se e kanë marrë seriozisht uljen e nivelit të liqenit, si një nga problemet kryesore të ekologjisë së rajonit. Ka diskutime të shumta, diskutohet nëpër takime midis qeverive, midis organizatave të interesuara, midis institucioneve, por realisht në momentet që flasim nuk ka një strategji të qartë se si mund të adresohet ky problem dhe se si puna e të gjithë këtyre institucioneve dhe të gjithë këtij interesi që është për Prespën, të koordinohet në një mënyrë që ky problem të adresohet në mënyrë shumë të fortë dhe të shpejtë”.
Mungesa e të paturit në fokus pikërisht rënien e nivelit të liqenit të Prespës pranohet edhe nga institucionet. Një ndër projektet ku ata bashkëpunojnë me donatorët e huaj ka qenë edhe “Plani i menaxhimit të Parkut Kombëtar të Prespës në Shqipëri, 2014-2024”. “Përfshin edhe liqenin, por në studim nuk është marrë sipërfaqja ujore por si pjesë territoriale e Parkut, është edhe liqeni. Ne kemi menaxhuar sipërfaqet tokësore, ekosistemet pyjore, ekosistemet kullosore, pra në përgjithësi mbrojtjen e biodiversitetit” – sqaron Vasil Male, Shef i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të qarkut Korçë.
Ndryshim i botës së peshqve në Prespë
Kallamasi është mbase fshati ku rënia e nivelit të Prespës ndihet më së shumti. Peshku i zënë këtu, ka ndryshuar me ndryshimin e kushteve klimatike. “Kemi pasur një rënie të prodhimit të cironkës dhe kemi një rritje të prodhimit të krapit, për arsye të lëvizjes së liqenit” – thotë Kosta Trajçe, kryetar i Shoqatës së Menaxhimit të Peshkimit në Prespë të Madhe. Hidrobiologu Spase Shumka i ka dedikuar thuajse të gjithë karrierën e tij ruajtjes dhe studimit të liqeneve të Prespës dhe specieve që jetojnë në këto ujëra. “Në botën e peshqve në Prespë kemi 8 lloje speciesh endemike dhe në botën e gastropodëve ose të kërmijve kemi rreth 18 specie endemike. Ka specie endemike pothuajse në të gjitha grupet aksionomike të botës së gjallë, gjë e cila është e lidhur në masën më të madhe të tyre me pjesën e litoralit, thënë ndryshe me pjesën fundore, me bregun e liqenit. Për shembull, një nga peshqit që është ekonomikisht më i rëndësishmi është cironka. Është një specie e cila është e lidhur në jetesën e saj dhe si habitat kryesor të riprodhimit të saj ka bregun e liqenit dhe kërkon një breg që të jetë shkëmbor, i cili praktikisht është zhdukur” – thotë hidrobiologu Shumka.
Organizata Ndërkombëtare Prespa-Ohrid Nature Trust, PONT, prej vitesh i vjen në ndihmë Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për të ruajtur biodiversitetin në Parkun Ndërkufitar të Prespës. Për të qenë më pranë zonës së prekur, ata kanë prej disa kohësh edhe një zyrë në Tiranë. Kërcënim për liqenin, sipas drejtueses së PONT, nuk është vetëm ndryshimi i kushteve klimatike. “Ne të gjithë e dimë se fatkeqësisht nivelet e Prespës po bien dhe kjo mund të vijë si pasojë e ndryshimeve klimatike, bujqësisë shumë intensive, kryesisht në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi. Në Greqi, fasulet dhe në Maqedoninë e Veriut janë mollët. Ata e përdorin ujin për vaditje dhe shumë toka po afrohen drejt liqenit, liqeni humb nivelin e tij dhe ka më shumë hapësirë të vlefshme për plantacione të reja, çka nuk është aspak mirë. Më duhet të them se në Shqipëri ka më shumë bujqësi për konsum vetjak, dhe kërcënimi është më i vogël. Cilësia e ujit është një tjetër çështje, sepse bujqësia intensive përdor pesticide të cilat nuk janë të mira për cilësinë e ujit. Quhet eutrofikimi i liqenit, ka shumë përbërës në liqen dhe uji nuk është i pastër. Kjo ndikon të gjitha habitat e specieve të rëndësishme si peshqit, zogjtë… Ndikohen të gjithë” – thotë Mirjam de Koning.
“Tri shtete, dy liqene, një e ardhme”
Në 2 shkurt të vitit 2000, në Agios Romanos në Prespën greke, u nënshkrua marrëveshja për shpalljen e Parkut Ndërkufitar të Prespës, ku tri kryeministrat e kohës u dakordësuan për të mbrojtur Prespën, çka asokohe u konsiderua si diplomaci inovative. Myrsini Malakou, biologe dhe një ndër veteranet e mbrojtjes së Prespës, ishte dëshmitare e asaj dite, që sot mbahet mend nga slogani “Tri shtete, dy liqene, një e ardhme”.
“Kemi më pak ujë. Çfarë duhet të bëjmë për bujqësinë dhe për peshkimin? Në Greqi ne po mendojmë për shumë e shumë zgjidhje. Për shembull, kemi vendosur të ndryshojmë sistemin e vaditjes dhe të kalojmë tek sistemi pikë-pikë. Është një investim shumë i madh për zonën por për shkak të biodiversitetit, ne mendojmë se është e rëndësishme. Nuk e di nëse kaq mjafton. Ne duhet të punojmë të gjithë sëbashku për të gjetur mënyra të reja përshtatjeje ndaj klimës. Me lloje të tjera bimësh, të mbjella të reja dhe sistemin e vaditjes pikë-pikë në të gjithë zonën”.
Panagiotis Paskalidis, kryetar i Bashkisë së Prespës greke, mendon se për rënien e nivelit të liqenit, duhet një koordinim i të trija vendeve. “Një nga arsyet që ne po ndërtojmë sistemin e vaditjes është për të pakësuar ujin që përdoret për vaditjen e zonave të caktuara. Ky pakësim i ujit të përdoret do të ishte deri në 46%. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe mund të rriste sadopak nivelin e Prespës së Vogël. Nevojitet që ne të bashkëpunojmë. Qëllimi është që duhet të evidentojmë problemet, të ngrëmë problemet në Bashkimin Europian dhe të jemi në gjendje që të dakordësohemi, të trija vendet në një mënyrë të koordinuar, për problemin e pakësimit të ujit”.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, ekspertët mendojnë se ndryshimet klimatike nuk janë të vetmet që rrezikojnë liqenin e Prespës. “Në fakt, problemi më madhor i momentit në liqenin e Prespës është pikërisht ky: sasia e konsiderueshme e lëndëve ushqyese që gjenden aty. Në të shkuarën liqeni kishte prani të ulët të këtyre ushqyesve. Në çastet që flasim, prania e tyre është e lartë. Çka do të thotë se të gjithë këto organizma që ne i konsiderojmë endemike, janë përshtatur për të jetuar dhe kanë jetuar në një mjedis me prani shumë të ulët ushqyesish dhe ndotësish” – thotë Zlatko Levkov nga Insituti i Biologjisë.
Për Vasko Stojov, hidrolog në Shërbimin Hidro-Meteorlogjik Maqedonas, shfrytëzimi i ujit të liqenit nga bujqësia, është problematike. “Sipas agro-meteorologëve këto sasi nuk janë të mëdha. Ata supozojnë se vetëm 12-20 centimetër nga uji i liqenit të Prespës përdoret për vaditje, shifër e cila duket e vogël. Por nëse këto 20 centimetra shumëzohen me 30 vite, vetëm atëherë ne kemi një panoramë të plotë të ujit që i merret liqenit të Prespës”.
Prespa, “e llastuar” nga donatorët
Teksa të gjithë aktorët përpiqen të mbrojnë veten, duke ia lënë përgjegjësinë njëri-tjetrit, Parku Ndërkufitar, në të trija anët e tij, mbetet një ndër zonat me vëmendjen më të madhe të donatorëve. Bashkimi Europian ka dhënë miliona euro financim në formë grantesh për zhvillimin e qendrueshëm të zonës në të treja anët e liqenit të Prespës. Përmes programit të financimi “BE për Prespën” Maqedonia e Veriut ka përfituar 18 milionë euro grant me qëllim zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në liqenin ndërkufitar. 1 milionë euro të tjera i janë dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për përmirësimin e grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të zeza në Resnjë dhe Devoll.
Një tjetër donator i rëndësishëm për Prespën ndërkufitare është dhe Banka Gjermane për Zhvillim. KfW ka financuar mbi 7 milionë euro në projekte që mbështesin ruajtjen e natyrës si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për popullatën lokale. Ndonëse projektet nuk lidhen drejtëpërsëdrejti me nivelin e ujit të liqenit dhe cilësinë e tij, kontributi i tyre është thelbësor, veçanërisht për Shqipërinë ku autoritetet duket se nuk e kanë prioritet ‘fatin’ e liqenit. Të paktën prej 8 vitesh, buxheti i shtetit nuk ka dhënë asnjë qindarkë lekë, për ruajtjen apo zhvillimin e zonës së mbrojtur.
“Në Prespë teorikisht vëmëndja ka qenë. Ka pasur financime të shumta, ka pasur projekte prej miliona eurosh ndër vite por që realisht në jetesën e banorëve kanë bërë shumë pak diferencë dhe fakti është që zona po depopullohet njësoj si të gjitha zonat e tjera” – thekson Trajçe nga PPNEA.
Në censusin e fundit në Shqipëri në vitin 2011, Bashkia e Liqenasit numëronte 5200 banorë. Por sot në fshat gjen më pak se gjysmën e tyre. Pavarësisht milionave të donacioneve, përse largohen njerëzit? “Kjo pyetje për mendimin tim kërkon një analizë më të thellë. Thjesht, ne nuk marrim fonde për ruajtjen e liqenit. Së dyti, ajo që dua të sqaroj dhe që është një problem shumë shqetësues – që e shprehin banorët por edhe si bashki e ndjejmë – është se kompetencat e pushtetit vendor janë thuajse 0 në drejtim të liqenit. E njëjta gjë ndodh edhe me fondet e huaja. Ka pasur investime në dijeninë tonë, por ato kanë qenë në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Mendoj që nuk kanë pasur atë ndikim që duhet të kishin” – thotë Pali Kolefski, kryetar i Bashkisë Liqenas.
“Çdo pikë uji duhet ruajtur”
Banorët, ekspertët dhe ligjvënësit në të trija anët e kufirit janë të dyzuar mbi të ardhmen e liqenit. Për vendasit, liqeni është e gjithë jeta e tyre, ndërsa të tjerët duhet të gjejnë zgjidhje sa më të shpejta dhe afatgjata për të zbutur sadopak rënien në vijimësi të nivelit të ujit. “Ne nuk mund ta kontrollojmë ndikimin e klimës, temperaturat e larta, avullimin, por mund ta përdorim ujin në mënyrë më të qëndrueshme, sidomos në bujqësi” – thotë Maja Shukova, ministrja maqedonase e Mjedisit.
Biologu Shumka thotë se është i dyzuar për të ardhmen e liqenit. “Ne jemi vend i vogël. Padyshim që njerëzit që jetojnë aty nuk mund të jenë faktor kyç për zgjidhjen e situatës atje. Njerëzve u duhet të merren me punët e tyre të vogla, por unë e kuptoj që në nivel global kjo arrin duke filluar nga puna lokale. Gjithsesi, gjithçka do të varet nga trendi i klimës” – thotë ai.
“Në çdo pikë uji, ne duhet të vendosim sëbashku. Në mënyrë që të vendosim, ne duhet të kuptojmë rëndësinë e kursimit të ujit, të menaxhimit të tij. Në mënyrë që të finalizojmë atë çka duhet bërë për menaxhimin e ujit, që të kemi qëndrueshmëri për jetët tona, së pari duhet të kuptojmë pse uji është i rëndësishëm. Për këtë nuk vendos qeveria. Ne të gjithë duhet të kuptojmë pse. Sepse nëse ti do të merrje ujë për të ujitur kopshtin tënd, atëherë po bëj dhe unë të njëjtën gjë. Unë mundem të hedh shumë ujë ose të përdor sasi të vogël uji. Të gjithë ne, në të trija vendet, duhet të kuptojmë rëndësinë e ujit për këtë zonë. Do të jetë më mirë për të ardhmen tonë” – thotë Myrsini Malakou. /DW