Pediatrja e njohur Lira Gjika, përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar se është shumë e rëndësishme që fëmijët deri në moshën 13 vjeç të flenë 10 orë gjumë pa ndërprerje.
Sipas saj, nëse ata flenë më pak, do të kenë probleme me shëndetin mendor dhe fizik.
“Të fjeturit vonë e fëmijëve, te ne është një traditë e vjetër që duhet mënjanuar. Fëmija deri në moshën 13 vjeç ka nevojë për 10 orë gjumë pa ndërprerje.
Fëmijët duke fjetur pas orës 10 të darkës nuk i realizojnë 10 orë gjumë pa ndërprerje. Mund të thuhet se fëmija fle në drekë dhe i kompenson orët e duhura. Jo nuk i kompenson pasi duhet të realizohen 10 orë rresht pa ndërprerje.
Përpiquni prindër edhe pse mund të jetë e vështirë në fillimet, por është e domosdoshme për shëndetin mendor dhe për atë fizik të fëmijës.
Mos lakmoni gjumin e mbasdites por realizoni orarin tetë e darkës me gjashtë e gjysmë në mëngjes. Po të realizoni këtë rregull të të fjeturit, do të shikoni se fëmija juaj do të jetë më i qetë e më i organizuar në sjelljet e tij me veten dhe me të tjerët”, shkruan ajo.