TIRANE – Arkimed Lusha, reperi i njohur me emrin Stresi, i dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda me një vit e 8 muaj burg për “gjobëvënie” ndaj regjisorit Leonard Bombaj, nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli. Dje, Apeli i Krimeve të Rënda la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, por në përfundim vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg ndaj Stresit. Sipas këtij vendimi, Stresi do të qëndrojë i lirë, me kusht që të mos kryeje asnjë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës për një periudhë prej 4 vjetësh. Vendim ishte i njëjtë edhe tre të bashkëpandehurit e tij, Erlis Bashaj, Relado Kurti dhe Sebastian Kallabaku.
Ndërsa për të pandehurën e pestë të kësaj dosjeje, e mitura A. Xhaxhaj, pezullimi i ekzekutimit me burg ishte vendosur që në vendimin e Shkallës së Parë. Edhe në Shkallën e Parë, edhe në Apel, të pandehurit e kësaj dosjeje u gjykuan në gjendje të lirë. Verdikti i shpallur dje nga Gjyka-ta e Apelit për Krimet e Rënda i dha formë të prerë vendimit ndaj të pandehurve Arkimed Lusha, Erlis Bashaj, Relado Kurti, Sebastian Kallabaku dhe A. Xhaxhaj. Ata ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me vendim të Shkallës së Parë, i shpallur më 2 tetor 2011. Shkalla e Parë i deklaroi të fajshëm të pandehurit për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në dëm të regjisorit Leonard Bombaj dhe i dënoi ata me heqje lirie dhe me gjobë.
Kështu, të pandehurit Arkimed Lusha (Stresi), Relado Kurti dhe Sebastian Kallabaku u dënuam me nga një vit e 8 muaj burg dhe nga 400 mijë lekë gjobë. I pandehuri Erlis Bashaj u dënua me 1 vit e 6 muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë. Kurse e pandehura A. Xhaxhaj u dënua me 8 muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë. Sipas vendimit të Gjykatës, duke pretenduar se regjisori Bombaj kishte pasur një marrëdhënie intime me mikeshën e tyre, të pandehurën Xhaxhaj, të pandehurit e tjerë kanë shantazhuar regjisorin duke i kërkuar shuma të mëdha parash me qëllim që të mos bëhej publik skandali. Sipas akuzës, të pandehurit kanë realizuar disa takime me regjisorin, në një prej të cilave i kanë marrë atij një shumë parash si dhe automjetin, të cilin ia kanë kthyer më pas.





