Në të gjithë botën, liria e internetit po përkeqësohet, ku disa qeveri kanë bllokuar shërbimin e internetit për celularët, duke kufizuar transmetimin e drejtpërdrejt të videove dhe duke përdorur një ushtri dixhitale të komentuesve pro-qeveritarë.
Këto janë disa nga gjetjet e raportit të fundit “Liria në Internet 2017”, të organizatës “Freedom House”, e cila vëzhgon nivelin e demokracisë dhe lirisë në mbarë botën.
Sipas raportit, i cili mbulonte periudhën qershor 2016 – maj 2017, rreth gjysma e 65 vendeve të vlerësuara, që përfaqëson rreth 87 për qind të të gjithë njerëzve me qasje në internet në mbarë globin, panë një rënie të lirive të tyre në internet. Ukraina, Egjipti dhe Turqia patën një përkeqësim më të dukshëm të lirive në internet brenda një viti. Kina mbetet abuzuesi më i keq në botë i lirisë në Internet, e pasuar nga Siria dhe Etiopia, thuhet në raport.
Sanja Kelly, drejtore e projektit “Liria në Internet” në organizatën Freedom House, tha se rënia e lirive të internetit ka përkuar me rritjen e qasjes në internet në mbarë botën dhe njerëzit gjithnjë e më shumë po kthehen nga interneti për të nxitur reformat demokratike dhe të drejta më të mëdha njerëzore.
“Një nga arsyet pse po shohim kufizime më të mëdha është pikërisht sepse disa nga drejtuesit në vendet autoritare, në veçanti, kanë kuptuar fuqinë e internetit dhe po përpiqen të dalin me metoda krijuese për ta shtypur atë,” tha zonja Kelly.
Deri pak kohë më parë, disa qeveri në Afrikë dhe pjesë të tjera të botës nuk i kushtonin shumë vëmendje Internetit, duke u fokusuar në mediat tradicionale, si transmetimet në televizion ose radio. Sipas zonjës Kelly, ky fokus po ndryshon në një kohë kur interneti po shtrihet në 20 deri 30 për qind të popullsisë.
“Papritmas qeveritë kanë filluar ta kuptojnë ndikimin e internetit dhe ne kemi filluar të shohim veprime propagandistike”, tha ajo.
Vendet si Zambia dhe Gambia kanë bllokuar qasjen në internet për telefonat celularë, veçanërisht gjatë kohës së zgjedhjeve.
“Bllokimi i internetit për celularët është një masë kufizuese e hapur. Ky është një sinjal se qeveria është e gatshme të marrë veprime kufizuese në një nivel më të lartë”.
Disa nga gjetjet e tjera kryesore të raportit janë:
• Taktikat e manipulimit online kanë luajtur një rol në zgjedhjet në 18 vende.
• Qeveritë në 30 vende promovuan informacione të pasakta në internet, nga 23 vende që e bënë këtë një vit më parë, duke përdorur mjete si komentues të paguar dhe faqe interneti me lajme të rreme.
• Gjysma e të gjitha bllokimeve të Internetit u përqendruan në rrjetet e telefonave celularë, ku shumica e bllokimeve bëhen në zonat e populluara me pakica etnike ose fetare. Në tetor të vitit 2016, qeveria e Etiopisë, bllokoi internetin në rrjetin celular për gati dy muaj si pjesë e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme të nxitur nga protestave anti-qeveritare. Bjellorusia ndërpreu internetin për telefonat celularë për të parandaluar transmetimet e drejtpërdrejta nga vendi të cilat mund të arrijnë audienca masive. Bahreini ka nxjerrë një ligj të veçantë që ua ndalon faqeve të internetit që ofrojnë lajme të përdorin video të drejtpërdrejta.
• Në 30 vende, ka patur hakmarrje fizike për fjalimet në internet, nga 20 vende që kjo gjë ndodhi në vitin paraprak.
Jo shumë kohë më parë, disa prej këtyre teknikave të shtypjes në internet u përdorën kryesisht nga Kina dhe Rusia. “Shkalla në të cilën po përdoren këto teknika dhe numri i vendeve ku janë të pranishme është një prirje e re”, tha zonja Kelly.
“Duket se këto teknika po përhapen dhe disa nga vendet autoritare si Kina dhe Rusia janë duke i eksportuar këto teknika. Dhe disa nga regjimet autoritare në mbarë botën po mësojnë nga ky shembull”, thotë Sanja Kelly, drejtore e projektit “Liria në Internet” në organizatën Freedom House. /VOA/