Nderohet me çmimin e parë gazetari Thanas Mustaqi për kontributin e tij në fushën e medias 

Qysh maturant në shkollën e mesme “Naim Frashëri” të Durrësit ka botuar në vitin 1966 shkrimet e para në gazetat “Adriatiku”, “Drita”, “Zëri i rinisë”, revistën “Ylli”. Pas kryerjes së studimeve të larta u dërgua për riedukim në hekurudhë si ndihmës-makinist e pastaj makinist për arsye politike për 10 vjet, kur për 7 vjet iu hoq e drejta e botimit. Në vitin 1973 botoi vëllimin me poezi “Këngë e thjeshtë” me recensimin e Dritëro Agollit, por që u hoq nga qarkullimi për disa vjet. U kritikua nga ultra-konservatorët për disfatizëm në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në prag të plenumit IV të KQ të PPSH të vitit 1973.

Në fund të viteve 1970, iu dha e drejta e botimit, fillimisht në gazetën “Adriatiku”, pastaj në “Drita”, “Zëri i rinisë”, “Hosteni”, “Zëri i popullit”, “Nëntori” etj. Botoi shkrime problemore kritike, reportazhe dhe lëvroi të gjitha gjinitë publicistike. Po ashtu ka botuar përkthime poezish dhe esesh të shkrimtarëve të njohur të huaj. Ka mbajtur rubrikat e informacioneve nga arti dhe kultura botërore në “Drita”, “Nëntori” dhe në veçanti në fund të viteve 1980 në “Adriatiku”. Në vitin 1987, redaktorja e “Dritës”, tani korrespondente e AFP-së, Briseida Mema, i botoi përkthimin e një fjalimi të shkrimtarit të famshëm gjerman, nobelistit Hainrih Bël (Heinrich Böll) me titull “Sakrilegji i artistit”, që pati jehonë ndërkombëtare, për shkak të një aludimi ndaj regjimit komunist post-Hoxha. Ka marrë disa çmime vjetore në “Zëri i rinisë”, “Drita”, “Hosteni”. U dekorua dy herë me medaljen “Naim Frashëri”.

Me gjithë përpjekjet e redaksisë së “Adriatikut” për të punuar si redaktor, vetëm në gusht të vitit 1989 filloi punë këtu, falë dashamirësisë së Fatos Kullës, Sotiraq Gjordenit dhe Mojkom Zeqos. Në gazetën “Adriatiku”, ku punonin figura të njohura si i ndjeri Haxhi Shima, Teuta Shahini (Mulaj), Aqif Hysa, Demir Gjergji, etj. mbuloi faqen “E diela e larmishme” dhe specialet për ekonominë. Duke punuar në të dy “frontet”, së bashku me kolegët dhe me guximin e kryeredaktorit Fatos Kulla, u arrit që gazeta lokale, e cila ishte vetëm me pajtime, fitoi autoritet kombëtar, duke u bërë paraprijëse e shtypit pluralist. Redaktori dhe gazetari siguroi një rrjet bashkëpunëtorësh, sidomos përkthyesish, që sollën risi në tërë gazetarinë para-demokratike shqiptare, sidomos intervistat e Albano Karisit, Mikele Plaçidos, Barbara de Rosit, Brizhit Bardosë, Tina Tërnerit etj., përkthimet letrare të Gjergj Vlashit, Sokol Muhos, Feim Alliut, Aleksandër Kokomanit, Gjergj Kojës,  etj. etj. Shkrimet fotokopjoheshin sidomos në Tiranë. Po ashtu ngjallën zemërimin e kastës burokratike komuniste shkrimet për shpërdorimet në fabrikat e miellit, konservave, për të drejtën e grevës, pluralizmit etj.

Në 8 dhjetor 1990, së bashku me të ndjerin Azem Hajdari, ka folur në mitingun e parë në qytetin Studenti, ku ka kërkuar më tepër liri për shtypin. Pas kësaj, drejtues të lartë të Byrosë politike në Tiranë dhe drejtues të lartë në rreth kanë kërkuar pushimin nga puna nga “Adriatiku” dhe ndëshkimin e tij, por është mbrojtur në bllok nga redaksia. Gjatë viteve 1991-1992 “Adriatiku” arriti një tirazh prej 12 mijë kopjesh, duke u shitur kryesisht në Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë. Kishte kërkesa nga të gjitha rrethet, por nuk kishte kapacitet shtypshkronja e Durrësit dhe ishte shkatërruar sistemi i shpërndarjes. Në këtë kohë bënë përshtypje shkrimet e redaktuara prej tij si për shembull, përkthimi i Haxhi Tagës i kujtimeve të dashnores së Mbretit Zog bashkë me fotot nudo, një tabu që u thye për herë të parë nga “Adriatiku” në krejt shtypin shqiptar në fillimet e demokracisë. Bujë të madhe bëri një lajm i marrë nga shtypi italian “Kërkonin arin dhe gjetën Carin” për varrin e familjes së Romanëve, kjo për faktin se sapo ishte krijuar komisioni parlamentar për gjetjen e arit shqiptar në Zvicër.

Në vitet e mëvonshme ka kontribuuar si korrespondent i Durrësit për gazetat “Populli Po”, “Dita Informacion”, “Zëri i popullit”, “Lajmi” dhe “Investigim” ku dhe punon aktualisht. Ka bashkëpunuar dhe botuar në “Koha jonë”, “Gazeta shqiptare”, “Shekulli”, “Temp” etj. Shumë shkrime apo lajme të tij janë marrë nga ATSH-ja, radiot e huaja në gjuhën shqipe, televizionet private, etj. 

Gazetari Thanas Mustaqi është nderuar me çmimin e parë për gazetarinë falë kontributit dhe punës së tij shumëvjeçare që ai ka dhënë në fushën e medias. Për herë të parë në qytetin e Durrësit u organizua një ceremoni e tillë, ku u ndanë pesë çmime fituese për gazetarët e këtij qyteti, të cilët punojnë në media të ndryshme dhe kanë një rol të rëndësishëm në informimin e ngjarjeve dhe aktiviteteve që kanë në fokus pikërisht këtë qytet bregdetar.

Në një ceremoni festive të organizuar me ketë rast ishin të pranishëm gazetarë kolegë dhe personalitete të larta të cilët i dorëzuan çmimet fituesve.

Çmimin e dytë, e mori telekronisti Astrit Tahiri, të tretin gazetari Llambi Kallço, të katërtin gazetariMark Brungadhe të pestinKlodjana Haxhiaj. Ndarja e çmimeve ishte vërtet e veçantë pasi fituesit u shpallën nga kolegët e tyre, të cilët, duke vlerësuar kontributin dhe vitet e eksperiencës në fushën e medias, votuan dhe fituesi i parë doli gazetari Thanas Mustaqi.

Gazetarët janë një komunitet të cilët përgjatë 365 ditëve të vitit vendosin në fokusin e vëmendjes së tyre raportimin e lajmit, ndërsa dita e premte datë 18 maj 2012 ka qenë ndryshe për gazetarët në qytetin e Durrësit.

Kryetari i Fondacionit Shqiptar Mjedisi dhe Ekonomia dhe njëherësh Kryetari i Këshillit Bashkiak Durrës, Indrit Hamiti, në cilësinë e nismëtarit të aktivitetit theksoi se “muaji maj ka në qendër të zhvillimeve të tij, Ditën Ndërkombëtare të Gazetarëve & Lirisë së Shtypit. Natyrisht që në cilësinë e drejtuesit të Fondacionit Mjedisi & Ekonomia jam i mendimit se mbështetja dhe evidentimi i aktiviteteve të tilla që kanë fokus kryesorë vlerësimin e gazetarëve të cilët kanë dhënë një kontribut real në qytetin tonë jep sinjale pozitive për lirinë e shtypit. Mediat e shkruara apo audiovizive kanë botues e pronar, në të vërtetë ata janë pronar e botues vetëm për sa i përket anës administrative, pasi lajmi e informacioni që ato përcjellin tek publiku bëhet pronë e publikut porsa del nga redaksitë apo studiot e tyre. Shqipëria këtë vit mbush plot 100 vjet shtet dhe natyrisht ka kaluar në një rrugëtim të gjatë, perspektiva europiane dhe sistemi i vlerave që ne kemi përqafuar vendos themelet kryesore te liria e medias. Këto çmime dhe bashkëpunimi me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë janë një model shembulli për brezat e rinj të gazetarëve në qytetin tonë. Uroj dhe shpresoj që aktivitete të tilla të kthehen në traditë”.

Kryetarja e Këshillit të Qarkut Durrës, Eglantina Begteshi, theksoi se “ media dhe gazetarët janë një hallkë e rëndësishme në një shoqëri pasi pasqyrojnë realitetin dhe ndryshimet në kohë dhe etapa të vazhdueshme duke i “caktuar” në dorë audiencës dhe publikut apo lexuesit armën më të fortë “gjykimin përfundimtar”. Këshilli i Qarkut Durrës ka në fokusin e tij mbështetjen e aktiviteteve të cilët mbartin vlera të patjetërsueshme në memorien e qytetit tonë. Këshilli i Qarkut Durrës do të mbështesë edhe në të ardhmen aktivitete të cilat promovojnë dhe vlerësojnë gazetarinë dhe media cilësore në tërësi “.

Duke ju referuar kësaj ceremonie të ndarjes së çmimeve, kryetarja e Unionit të Gazetarëve për Durrësin, Vali Qyrfyçi, tha se vlerëson të gjitha nismat që ndërmerren në inkurajim të gazetarëve profesionist dhe misionit të tyre në shërbim të komunitetit dhe interesave të publikut. “Shprehim falënderimin për nismën e realizuar që mishëron përpjekjen për vlerësim të profesionalizmit në media. Urojmë që ky aktivitet rishtar të shndërrohet në një përvojë dhe traditë ku respekti dhe nderimi për profesionistët, të jenë tipar i përhershëm për organizime të tilla”.

Aktiviteti i cili përkon me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë, u organizua me mbështetjen e Fondacionit Shqiptar Mjedisi dhe Ekonomia, Unionit të Gazetarëve, Këshillit të Qarkut Durrës dhe Autoritetit Portual.

Çmimet dhe motivacionet

1) THANAS MUSTAQI

I jepet çmimi për veprimtarinë e pandërprerë, kurajon profesionale dhe ndihmesën e pakursyer për kolegët e rinj në fushën e medias së shkruar 

2) ASTRIT TAHIRI

I jepet çmimi për kontributin si telekronist në përcjelljen dinjitoze të ndryshimeve demokratike në ekranin e vetëm shqiptar të kohës

3) LLAMBI KALLÇO 

I jepet çmimi për krijimin e individualitetit gjatë raportimit në ekranet televizive, duke formësuar një profil të qartë në median elektronike

4) MARK BRUNGA

I jepet çmimi për përkushtimin e palodhur në fushën e medias, veçanërisht në median e shkruar duke ruajtur një etikë të lartë në raportimin e lajmit

5) KLODJANA HAXHIAJ

I jepet çmimi për kurajën dhe vullnetin e pareshtur në evidentimin dhe pasqyrimin e problematikave të ndryshme për komunitetin