Tiranë, 1 maj 2014 – Raporti i fundit i Freedom House e rendit Shqipërinë si vend me liri të pjesshme për sa i përket lirisë së medias. Në të njejtin vend renditet edhe Kosova. 

Shtetet e shqiptarëve, Shqipëria dhe Kosova renditen në vendin e 98 në mesin e 197 vendeve. Kujtojmë se një vit më parë Shqipëria renditej në vendin 96, ndërsa Kosova radhitej e 102-ta, citon Zëri i Amerikës.

Ato kanë nga 49 pikë në vlerësimin e Freedom House ku shkalla 0 është rezultati më pozitiv, ndërsa shkalla 100 është pika më e ultë. 

Në rajonin e Evropës juglindore Serbia është e 74-ta, Mali i Zi në vendin e 78-të, Kroacia në vendin e 83-të. Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia radhiten pas Shqipërisë dhe Kosovës në vendin 103, përkatësisht 122. 

Freedom House vlerëso se liria e medies ka shënuar rënien më të madhe në dhjetëvjetëshin e fundit. Vetëm një në shtatë njerëz jeton në vendet me media të lirë. 

Rënia është nxitur pjesërisht nga zhvillimet në disa shtete të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Egjiptin, Libinë, dhe Jordaninë, problemet në Turqi, Ukrainë, dhe në një numër vendesh në Afrikën lindore, si dhe përkeqësimi në mjedisin relativisht të hapur mediat të Shteteve të Bashkuara.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/