24 nëntor 2015 – Një ditë pasi Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për deputetin e PS-së, Armando Prenga, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, ka reaguar familja Cali, anëtarët e së cilës u plagosën me armë nga Prenga.

“Dje, ne si familje na u dha një tjetër goditje e rëndë. U lirua autori që gjuajti me armë në komisariat 5 persona, ndërkohë që të dëmtuarit mbahen në burg. Dje ne na u tha: Ju që jetoni dhe ushqeheni me djersën e ballit dëmtoni shoqërinë e sotme, ju që mbani familjen ndershmërisht jeni shembull i keq në këtë shoqëri të shtrembër. Shteti na goditi më 4 shtator aty ku duhej të na mbronte. Kurse dje shteti politik na goditi me padrejtësi e manipulime. Të veshurit me pushtet i lejoi të prishë provat dhe të pastrojë gjurmët. Të veshurit me pushtet i vuri në dispozicion ekspertizën, vendimin, drejtësinë. Ndërsa ne na la në betejën tonë për të fituar të drejtën të vetëm kundër pushtetit”, thuhet në reagimin e familjes Cali.

Konflikti mes kësaj familjeje dhe deputetit Armando Prenga lidhet me lejen për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut. Pas përplasjes me armë në Laç, Gjykata Administrative i jep të drejtë familjes Cali, duke rrëzuar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, që ia kishte dhënë me koncesion vëllait të deputetit Armando Prenga.

/portali DurresLajm/