Prej më shumë se një jave në Durrës vjon lirimi i hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme në lagjet e qytetit bregdetar.

Aksioni që nisi nga bulevardi “Epidamn” u shtri dhe në lagjet nr.3, 4 dhe 11 dhe pritet të shtrihet edhe më tej në brendësi të zonave rezidenciale.

Por çfarë mendojnë qytetarët për këtë aksion të nisur pas ultimatumit të lëshuar nga kryeministri Rama për uzurpimet “Tokë e xanun”?

“Të kishin filluar pak më herët më mirë do ishte. Icik me vonesë, por prapë mirë është!”

“Duhet të ishte bërë me kohë. Ku kanë qenë këto që dolën tani dhe po lirojnë hapësirat publike? Ku kanë qenë? Ta fillojmë që nga kryeministri që unë e kam votuar. Ku ishte?!” – thonë ata për mikrofonin e “DurrësLajm”.

Gjatë aksioneve të zbatuara nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Policia Bashkiake dhe struktura të tjera në varësi të bashkisë janë hequr apo prishur tenda, mure rrethues, vazo me lule, pedana betoni, trarë etj. Qytetarët kërkojnë që ndërhyrja institucionale të zbatohet jo në mënyrë selektive, pa favorizuar askënd.

Në qytetin bregdetar, që renditet i pari në shkallë vendi për numrin e lartë të automjeteve në raport me popullsinë, parkimet nëpër akset kryesore dhe brenda lagjeve janë një makth për banorët. Për këtë arsye, ata kërkojnë që bashkia të veprojë edhe në këtë drejtim, duke larguar nga rrugët automjetet që zënë hapësirat publike prej shumë muajsh, deri vitesh.

Pas ndërhyrjes në lagjen nr.3 dhe nr.4, aksioni për lirimin e hapësirave publike u spostua ditën e parë të kësaj jave në lagjen nr.11, ndërsa paralelisht po organizohet puna për ndërhyrje të tjera në vijim.    

M.B.