Kryeministri Edi Rama i është rikthyer rubrikës së tij virtuale me qytetarët, “Sy m’sy”.

Këtë komunikim, e nisi pikërisht me aksionin më të fundit, që ka të bëjë me lirimin e hapësirave publike. I pyetur se pse urdhëroi marrjen e masave të tilla, pas zgjedhjeve të 11 majit, kreu i qeverisë u përgjigj duke argumentuar se problematikat i ka hasur pikërisht gjatë fushatës në kryeqytet.

“Në këto zgjedhje, isha pjesë e skuadrës së Tiranës, për herë të parë dhe ndryshe nga skuadrat e tjera, kam pasur një seri të gjatë takimesh nëpër Tiranë dhe praktikisht kam mundur të shoh dhe të kaloj në shumë territore, që përndryshe nuk i kisha parë prej kohësh. Nga njëra anë transformimi pozitiv në territore deri shumë periferike që kohë më parë kanë qenë shumë larg parametrave më të thjeshtë të urbanizimit dhe negative! Pikërisht në aspektin e një ekspansioni (zgjerimi) të kufijve të veprimtarisë së njësive të shërbimit në hapësirat publike që e kam dëgjuar edhe nga qytetarët e Tiranës”, tha Rama.

Më tej, kryeministri nenvizoi se kërkesa nga të katër anët e komunitetit ka qenë, lirimi i hapësirave publike.

“Nuk merret qeveria me karrige e tavolina, jemi në kushtet e një mobilizimi për t’iu dhënë një përgjigje qytetarëve për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e barrikadave, vazove, luleve, ngrehinave metalike”, shtoi kryeministri.