Rreth një vit nga lirimi me kusht i ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, Gjykata e Lartë vendos të kalojë për shqyrtim rekursin e prokurorisë kundër këtij vendimi.

Në rastin e Lulzim Berishës është vendosur që dosja të kalojë për gjykim dhe jo të mbyllet me mospranim rekursi, çka do të ishte arkivim përfundimtar i çështjes.

Tashmë, kolegji penal me relator Artan Zenelin, duhet të caktojë datën për zhvillimin e procesit, në përfundim të të cilit do të vendosë nëse ishte apo jo i drejtë verdikti i Apelit të Durrësit për lirimin me kusht të të dënuarit për vrasje, bën me dije “News 24”.

Pas dhjetë vitesh qëndrimi në qeli, Lulzim Berisha rifitoi lirinë me kusht në dhjetor të 2016.

Krahas të tjerave, për lirimin e ish-kreut të bandës së Durrësit, Apeli, mori në konsideratë garancinë për punësim të ofruar për të dënuarin nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako.

Më herët gjykata supreme ka vendosur të kalojë më mospranim rekursi disa nga çështjet më të rëndësishme, siç është ajo e Gërdecit, 21 janarit, apo Arben Frrokut. /BW