Shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, ka reaguar pas lirimit nga paraburgimi të terroristit Milan Radoiçiç, i cili pranoi se ka marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit, ku humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku.
Përmes një postimi në platformën “X”, ai shkruan se Serbia ka mbështetur terrorizmin në shtetin fqinj dhe thotë se arrestimi dhe lirimi i tij është vetëm shfaqje në media.
POSTIMI I PLOTË:
Aleksandar Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë mbështeti terrorizmin në Kosovën fqinje. Arrestimi dhe lirimi i një terroristi kryesor është vetëm për të marrë vëmendjen e mediave. Manipulimi i tij i stilit Millosheviç/Putin nuk do të mashtrojë askënd. Mbajtja e përgjegjësisë është thelbësore për këtë shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.
Pas lirimit nga paraburgimi, Radoiçiç i është shqiptuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi, e cila i ka ndaluar të largohet nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i ka ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës. Atij i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë, dhe i pandehuri është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel ndalesat dhe obligimet.
Radoiçiç akuzohet për veprën penale të prodhimit, mbajtjes, mbajtjes dhe trafikimit pa leje të armëve dhe lëndëve shpërthyese nga neni 348 paragrafët 4 dhe 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal në lidhje me veprën penale të pjesëmarrjes në grup që kryen vepër penale nga neni 349 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit penal dhe veprën penale krim i rëndë kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 288 paragrafi 2 në lidhje me nenin 278 paragrafi 1 të Kodit penal.