Pas 5 orësh që zgjati seanca e kësaj të mërkure ndaj të arrestuarve për protestën e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike, në përfundim, gjykata i ka liruar të 34 të arrestuarit.
Prokuroria ngriti disa akuza për të arrestuarit: “Shkatërrim prone”, “Prishje e qetësisë publike”, “Shkelje e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe armëve të ftohta”.
Organi i akuzës i kërkoi fillimisht gjykatës që 29 prej personave të vënë në pranga të hetoheshin në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” dhe 5 të tjerë në “arrest shtëpie”.
Për shkak të numrit të madh të të arrestuarve seanca zgjati disa orë dhe ata dolën para gjykatës në dy grupe.
Ndër të arrestuarit ishte edhe reperi i njohur Arkimed Lushaj, ose siç njihet me emrin e artit Stresi. Futja e tij në sallën e gjyqit tërhoqi vëmendjen e mediave, pasi reperi ngriti dy gishtat lart ndërsa u shfaq gjatë gjithë kohës i buzëqeshur.
Në sallën e gjyqit ndodheshin edhe disa deputetë të cilët shkuan atje për të ndjekur seancën. Bëhet fjalë për Oerd Bylykbashin, Albana Vokshin, Klevis Balliun e Çlirim Gjatën. Më vonë në grupin e dytë që doli para gjykatës ishte i pranishëm gjatë seancës, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.