Autoritetet në Kosovë thanë se janë liruar pesë pjesëtarët e komunitetit serb pas intervistmit nga policia, të cilët ishin arrestuar të martën nën dyshimet se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Arrestimi i tyre, nxiti reagime të ashpra në Beograd. Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se serbët e arrestuar ishin kundër formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai tha të martën në se të arrestuarit duhet të lirohen dhe nëse kjo nuk ndodhë deri sonte, “nuk do të ketë bisedime” për një kohë të gjatë.
Por policia hodhi poshtë shkrimet e medieve serbe se operacioni është i drejtuar ndaj ish-pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që ditëve të fundit kanë dhënë dorëheqje dhe atyre që kanë detyruar tërheqjen e tyre. “Sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në një konferencë për gazetarë zoti Gjuriç tha se të arrestuarit janë Radovan Stojkoviç, kryetar i qarkut të Anamoravës, një institucion që drejtohet nga Beogradi dhe Prishtina e cilëson strukturë paralele, Jovan Deniç, drejtor i degës së Shërbimit për punësim të Serbisë dhe Nenada Stojanoviçin, pjesëtar i ushtrisë serbe që jeton në Kosovë dhe punon në Vranjë të Serbisë. Dy të arrestuarit tjerë janë Aleksandër dhe Predrag Xhorxheviç, njëri pjesëtar aktiv i ministrisë serbe të punëve të Brendshme dhe tjetri i pensionuar.
Ndërkohë, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të martën se institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit. “Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë dhe sigurojmë të gjithë qytetarët pa dallim etnie se ne do t’i mbrojmë ata” shkroi ai në rrjetet sociale.
Zoti Veseli i cilësoi si të papranueshme, siç tha, përpjekjet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës. “Këto përpjekje janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në Bashkimin Evropian. Çdo provokim nga Serbia, që e lëndon këtë proces, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan” shkroi ai.
Ministri serb i punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, tha në Londër ku po merr pjesë në takimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor se arrestimet janë veprime që “pengojnë dialogun” dhe dëshmi se “dikush nuk do kompromis”.
Ai tha se “ky është reagim ndaj tërheqjes së disave nga ca struktura të sigurisë që Prishtina dëshiron t’i formojë nën përkujdesjen e disa vendeve perëndimore për të krijuar këisoj bërthamën e njëfarë ushtrie të Kosovës”.
Gjatë javës që po lëmë pas një grup pjesëtarësh të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës, u kanë kërkuar zyrtarëve që t’i lirojnë nga detyra për shkak të siç thuhet trysnisë së Beogradit ndaj tyre. Përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se dorëheqjet e pjesëtarëve të kësaj force nga radhët e komunitetit serb janë përpjekje për të dëmtuar imazhin e kësaj force. /VOA