Vijon operacioni "Plazh i lirë", lirohen rreth 5000 m² plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, procedohen penalisht 2 administratorë subjektesh.
Në kuadër të këtij operacioni, Policia Bashkiake e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si pjesë e përbashkët e Task Forcës së ngritur nga prefekti, kanë zhvilluar përgjatë ditës së sotme aksion në zonën e plazhit të Katundit të Ri.
Nga burime zyrtare, “DurrësLajm” mëson se sot janë hequr 600 çadra dhe 1200 shazllonge.
Ndërkohë, për 2 pronarët e subjekteve që kishin zënë pa leje këto hapësira, mësohet se Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal ndaj tyre.
Operacioni po vijon çdo ditë me shtrirje në gjithë zonat bregdetare në territorin e Republikës së Shqipërisë.





