TIRANE – Policia e Tiranës ka lënë të lirë 28-vjeçarin nga Lushnja, i cili dy net më parë i preu rrugën eskortës së Kryeministrit Sali Berisha. Ervis Hoxha do të procedohet në gjendje të lirë, pasi policia ka dalë në konkluzionin se incidenti është kryer në mënyrë të paqëllimshme.
Ekspertët e qarkullimit rrugor i kanë bllokuar lejen e qarkullimit. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së hënës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, kur Ervis Hoxha, në gjendje të dehur ka hyrë në krahun e kundërt të lëvizjes.
Kjo situatë ka alarmuar truprojat e Berishës, pasi kanë dyshuar për ndonjë veprim të qëllimtë. Ndërhyrja e menjëhershme e policisë ka bërë që i riu nga Lushnja të arrestohet. Mes eskortës së kreut të qeverisë, ka qenë edhe ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Zyrtarët e lartë të shtetit kanë qenë duke u kthyer nga një takim në selinë blu, me krerët e rretheve të Partisë Demokratike.
Ky është rasti i dytë, ku Kryeministri Berisha gjendet në një situatë të tillë. Disa muaj më parë, eskorta e tij është ndërprerë nga një makinë e cila drejtohej nga djali i ish- zëvendëskryeministrit të Shqipërisë, Bashkim Kopliku, Romir Kopliku. Edhe në këtë rast policia e ka proceduar të riun në gjendje të lirë, përveç faktit që i bllokoi lejen e qarkullimit.





