Vendimi i plotë i Gjykatës së Durrësit

Gjykata e Durrësit liroi nga burgu kujdestaren e Shtëpisë së Fëmijës në Durrës, Dafina Fama. Ajo u dënua me 2 muaj heqje lirie, të cilat u konvertuan me 18 muaj shërbim prove. Në njoftimin zyrtar të shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit të gjykatës bëhet me dije se, sot u zhvillua seanca e përshpejtuar për kujdestaren, e cila u denoncua publikisht nga një video e transmetuar në emisionin Stop, në fillim të muajit. Kjo ngjarje bëri që të arrestohej kujdestarja dhe të shkarkohej drejtoresha e Jetimores.

Ja vendimi:

“Në seancën gjyqësore të datës 15.04.2016 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës kërkoi: Deklarimin fajtore të të pandehurës Dafina Fama, për veprën penale të “Keqtrajtimi i të miturit” dhe në bazë të nenit 124 gërma “b” paragrafi parë e 49 të K.Penal e dënon me 3 (tre) muaj burgim. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e dënimit penal me burgim të dhënë dhe e pandehura Dafina Fama, dënohet me 2 ( dy) muaj burgim. Në bazë të nenin 59 të K.Penal,  të pezullohet ekzekutimi i vendimit për pjesën e mbetur të dënimit penal me burgim të pavuajtur nga e pandehura Dafina Fama, për një periudhë kohe prove prej 18 muajsh, me kusht që e pandehura të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës së provës. Urdhërohet lirimi i të pandehurës Dafina Fama nga I.E.V.P Burgu nr.325, Rr.”Ali Demi”- (Seksioni Grave) Tiranë ( që aktualisht ndodhet në spitalin e burgut Tiranë).

 

Në fund, gjykata vendosi: Deklarimin fajtore të të pandehurës Dafina Fama, për veprën penale të “Keqtrajtimi i të miturit” dhe në bazë të nenit 124 gërma “b” paragrafi parë e 49 të K.Penal e dënon me 3 (tre) muaj burgim. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale i ulet 1/3 e dënimit penal me burgim të dhënë dhe e pandehura Dafina Fama, dënohet me 2 ( dy) muaj burgim.

Në bazë të nenin 59 të K.Penal, për shkak të rrezikshmërisë së pakët të të pandehurës,pezullohet ekzekutimi i vendimit për pjesën e mbetur të dënimit penal me burgim të pavuajtur nga e pandehura Dafina Fama, për një periudhë kohe prove prej 18 muajsh, me kusht që e pandehura të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës së provës.

 Bazuar në nenin 61 të K.Penal, detyrohet e pandehura Dafina Fama të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës të Qarkut Durrës, gjatë periudhës së provës.

Urdhërohet lirimi i të pandehurës Dafina Fama nga I.E.V.P Burgu nr.325, Rr.”Ali Demi”- (Seksioni Grave) Tiranë ( që aktualisht ndodhet në spitalin e burgut Tiranë)”.