Gjyqtari Piro Sota i gjykatës së Fierit ka liruar nga burgu një tjetër person të rrezikshëm, shtetasin Sardian Sulejmani pjesëtar të “Bandës së Durrësit”.
“Urdherohet lirimi i menjëhershëm i të dënuarit Sardian Sulejmani nga IEVP Fier”, thuhet në vendimin e gjykatës, i marrë më datë 11 tetor 2019.
“Pezullimin e ekzekutimit të pjesës së mbetur të dënimit të të dënuarit Sardian Sulejmani prej 4 vjet 10 muaj e 17 ditë burgim, me kusht që gjatë një afati prove të barabartë me pjesën e mbetur të dënimit, i dënuari Sardian Sulejmani të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale”, thuhet më tej në vendim.
Sulejmani rezulton i dënuar në korrik të vitit 2014 nga Gjykata e Lartë, me 25 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë” në dy raste ndaj Lulzim Berishës ngjarje të ndodhura në gusht të 2005 dhe “Vrasjes me paramendim” të Avni Gashit ndodhur në tetor 2005 në Tiranë.
Për të dyja këto krime që është dënuar Sulejmani ishte dënuar dhe Endrit Dokle, nga gjykata, pasi dy miqtë kanë bashkëpunuar në këto ngjarje kriminale. Kujtojmë që Endrit Dokle, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm, u lirua nga qelia vetëm pak ditë më parë falë vendimit të gjyqtares Enkelejda Hoxha në Gjykatën e Krujës.





