Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, do të lërë qelinë dhe do të hetohet nën “arrest shtëpie”.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest shtëpie’, për shkak se kanë kaluar afatet e paraburgimit.

Ish-kryebashkiaku akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, së pari në lidhje me projektin e vijës bregdetare dhe së dyti me lejimin e ndërtimit të një pallati në Durrës pa dokumentacionin e nevojshëm.

Dy javë më parë, gjyqtarja e hetimit paraprak i kërkoi Prokurorisë që deri në datën 27 shkurt të plotësojë dosjen edhe me një akt ekspertimi në lidhje me projektin e vijës bregdetare, për të cilën Dako dhe disa ish-zyrtarë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën.

Prokuroria pretendon se ata kanë përllogaritur gabim fondin limit duke e shumëfishuar atë dhe pasi kanë rënë në dijeni të këtij fakti, nuk e kanë rregulluar gabimin.

Por për gjykatën, hetimi është i paplotë pa përcaktuar gjendjen aktuale të investimit dhe dëmin aktual.

Sot që ishte caktuar seanca, kjo e fundit u shty për në datë 18 mars ora 13:00 për shkak të mungesës së akt-ekspertimit topografik që kishte kërkuar gjykata nga prokuroria.

Vangjush Dako u arrestua në qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK.