TIRANE, 07 mars 2013-Biznesmeni Mihal Delijorgji, një prej të dënuarve nga drejtësia për tragjedinë e rëndë të 15 marsit 2008 në Gërdec, ka lënë për pak ditë qelitë e burgut 325 në Tiranë.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thanë se Delijorgji ka përfituar një leje shpërblyese, për shkak se ka vuajtur më shumë se tre të katërtat e dënimit, ka sjellje të mirë, si dhe ndodhet në një burg të sigurisë së ulët.
Delijorgji pritet të rikthehet sërish në burg, për shkak se i kanë mbetur dhe pak ditë për të vuajtur.
Gjykata e Apelit e dënoi me 10 vite burg, por aplikoi për biznesmenin gjykimin e shkurtuar, ndaj për këtë shkak ai përfitoi një të tretën ulje dënimi.
Nga përllogaritja që bëri prokuroria, rezultoi se Delijorgji kishte për të vuajtur dhe tre muaj e 24 ditë burg.
Në qeli për tragjedinë e rëndë ku humbën jetën 25 persona dhe u plagosën qindra të tjerë nga shpërthimi i një fabrike demontimi, ndodhet dhe ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, si dhe disa të akuzuar të tjerë.





