Lirimi i shqiptarit 42-vjeçar M.A. që u arrestua më 20 janar së bashku me shqiptarin G.E 36 vjeç, pasi u kapën me 93 kg kokainë në makinë, ka ngjallur polemika mediatike të mëdha në Itali.
Dy shqiptarët u arrestuan në territorin italian sapo kishin kaluar kufirin me Austrinë pasi në makinën e tyre tip “Ford Kuga” u gjetën të fshehura 93 kg kokainë të pastër me vlerë 18 milionë euro.
Sipas medieve italiane, shqiptari M.A 40 vjeç rezident në Holandë, sot është lënë i lirë pas një ngërçi burokratik. Në seancën e parë gjyqësore, mungesa e një përkthyesi nga gjuha italiane në gjuhën shqipe ka bërë të mundur skadencën kohore të detyrueshme për të mbajtur të arrestuar shqiptarin M.A.
Tashmë ai ka lënë burgun e Bolzanos dhe është larguar me shumë gjasa drejt Holandës aty ku dhe jetonte.
Shqiptari tjetër G.E 36 vjeç i cili e njihte gjuhën italiane vazhdon të jetë i arrestuar nën akuzën e trafikimit të kokainës.