Në një njoftim të dytë, policia e Durrësit ka sqaruar se personi i arrestuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” është shtetasi Samed Lisaj, 28 vjeç, banues në Shkodër.

Ndërsa shtetasi Mersin Sadiku është shoferi i taksisë ku ndodhej shtetasi Samed Lisaj, dhe në përfundim të veprimeve hetimore është lënë i lirë pasi nuk kishte dijeni për personin që transportonte armë dhe municion luftarak.

Më herët polica bëri me dije se:

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar me kontrolle të befasishme me pika të lëzishme kontrolli, me afate kohore të ndryshme.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 17, Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në një mjet taksi në të cilin ishte pasagjer shtetasi Mersin Sadiku kanë gjetur në çantën e tij, 2 granata dore, 4 kapsolla detonatore, 491 gramë lëndë eksplozive e dyshuar si C4 dhe 490 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, shtetasi Mersin Sadiku, 55 vjeç, banues në Shkodër.”