28 prill 2015 – Deputeti Tom Doshi është liruar sot nga arresti shtëpiak.
Gjykata e Lartë vendosi ditën e sotme ndryshimin e masës së sigurisë për Doshin, nga “arrest shtëpie” nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, që do të thotë se duhet të paraqitet në Gjykatë çdo të hënë në orën 10:00.
Megjithatë, Tom Doshi gjatë një prononcimi për mediat, u shpreh se ishte i pakënaqur nga vendimi i gjykatës, pasi kërkonte që të ishte i lirë nga tri akuzat që janë ngritur ndaj tij.
Deputeti i përjashtuar nga radhët e grupit parlamentar të PS-së, ndodhej nën “arrest shtëpie” që prej datës 29 mars. Doshi akuzohej për “kanosje për deklarime e dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, “kallëzim të rremë” dhe “deklarata të rreme para prokurorit”, në lidhje me skenarin e vrasjes ndaj tij, për të cilin akuzonte kryeparlamentarin Ilir Meta si porositësin e atentatit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/