Inspektorati i Lartë i Drejtësisë i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, që të nisë një hetim për gjyqtaren Enkeleida Hoxha.
Sipas ILD-së, gjyqtarja ka kryer shkelje profesionale gjatë punës së saj, në vendimet që ka marrë.
Enkeleida Hoxha është gjyqtarja e Krujës që firmosi lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Po ashtu ajo ka liruar nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.
KËRKESA NGA ILD:
Vrasja e shtetasit Hekuran Billa më 11 qershor 2020 e transmetuar nga media bashkë me të dhëna mbi gjendjen gjyqësore dhe lirimin para kohe të tij, e nga i njëjti magjistrat, lirimi para kohe me kusht edhe për të dënuar të tjerë si Ilir Paja apo Endrit Dokle, kanë bërë që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të verifikojë, e më pas të nisë hetimin disiplinor me iniciativë ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë Enkeleida Hoxha, për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.
Në raportin hetimor të ILD, që ka mbërritur në Këshillin e Lartë Gjyqësor, renditen argumenta se gjyqtarja Enkeleida Hoxha:
– Ka kryer shkelje të rënda profesionale, në funksion të zgjidhjes së parregullt të çështjeve gjyqësore penale
– Ka mospërmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë gjykimit
– Veprime dhe sjellje që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin
– 6 vendime të dhëna prej gjyqtares në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019, përbëjnë akte që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit
– Ka zhvilluar procese gjyqësore tërësisht të njënashme dhe në kundërshtim flagrant me dispozitat materiale dhe procedurale penale
Në raportin hetimor që ndodhet në KLGJ, konstatohet kryerja e shkeljeve disiplinore nga ana e magjistrates me dashje direkte, me pasojë lirimin e një të dënuari që përbën rrezik për komunitetin, nxiti akte me natyrë hakmarrje, që rezultoi me ekzekutimin e shtetasit Hekuran Billa, me pasojë të mëtejshme rrezikun që kjo sjellje e papërshtatshme e magjistrates, të ndiqet si shembull nga magjistratë të tjerë.
Bazuar në faktin që shkelja disiplinore në rastin konkret përbën “Shkelje shumë të rëndë disiplinore”, që diskrediton pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë Gjyqësor që ndaj magjistrates Enkelejda Hoxha të jepet masa disiplinore“Shkarkim nga detyra”, e parashikuar nga neni 111 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.





