Në datat 10-11 maj, socialistët e Durrësit do të votojnë për të përzgjedhur 51 delegatët, që do t’i përfaqësojnë në Kongresin e jashtëzakonshëm të 12 qershorit.

Lista me emrat e 133 kandidatëve për delegatë që do t’i nënshtrohen procesit të votimit është tashmë gati dhe “DurrësLajm” po e publikon të plotë në fund të shkrimit.

Procesi i votimit, që do të realizohet me parimin “një anëtar, një votë”, do të zhvillohet në selinë lokale të PS Durrës, por edhe në njësitë administrative. Janë rreth 5400 anëtarë të PS-së lokale që ftohen të përzgjedhin me votën e tyre emrat që do t’i përfaqësojnë në Kongres.

Në listë janë të përfshirë mes të tjerëve, emrat e 3 nënkryetarëve të bashkisë, kryetari i Këshillit Bashkiak drejtuesit e shumë prej institucioneve lokale dhe rajonale, koordinatorë të PS, kryetarë organizatash socialiste etj.

Prej muajsh tashmë, PS në të gjithë vendin është duke kaluar në një proces rienergjizimi, i cili ka përfshirë të gjitha strukturat e partisë në pushtet.  

Gjatë këtyre muajve, kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar më shumë punë për rigjallërimin e PS, ndërsa vendosi edhe objektivin që të arrijnë deri në 50 mijë anëtarësime të reja deri në 12 qershor 2024.