Publikimi i të dhënave ka nxjerrë në pah pabarazinë e madhe sociale që ekziston në vendin tonë.
Një pjesë e institucioneve të administratës shtetërore “majmin” me para punonjësit e tyre.
Gjithashtu lista e targave që pasoi ato të pagave e të numrave të telefonit, e thelloi edhe më tej skandalin, duke nxjerrë në shesh mjetet luksoze që përdorin një pjesë e administratës, të blera nga paratë e buxhetit të shtetit.
Nga lista e targave rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar mban rekord për numrin e mjeteve të regjistruara, plot 66 të tilla, shumica të tipit Mitsubishi, Ford, Toyoya, Hyundai.
Në vendin e dytë renditet Prokuroria e Përgjithshme me 30 mjete, të cilat janë vendosur në funksion të të gjithë hetuesëve, ku më e “preferuara” duket se është tip “Skoda”, ndërsa më pas renditen mjetet Hyundai, BMë dhe Mazda.
Më pas renditet, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore me 13 mjete, dhe Instituti i Shëndetit Publik me 12 të tilla.
Nga ana tjetër, Gjykata e Tiranës ka 9 mjete në dispozicion, ndërsa Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar përdor 5 të tilla, mes tyre një Linkoln dhe Mercedez Benz.
Gjithashtu edhe në institucione të tjera bie në sy shpenzimet e tepërta të parave të buxhetit për gjëra të panevojshme.