Pas zbardhjes së emrit të kandidates për kryebashkiake në Durrës, Valbona Sako, vëmendja e socialistëve është përqendruar tek lista e anëtarëve të Këshillit Bashkiak.
Këshilli Bashkiak i Durrësit përbëhet aktualisht nga 51 anëtarë, nga të cilët vetëm 16 i përkasin Partisë Socialiste. Gara mes këshilltarëve do të bëhet për renditjen e tyre sa më lart në listë, ç'ka u jep mundësi që të zgjidhen për 4 vitet e ardhshme anëtarë të Këshillit Bashkiak.
Aktualisht, dega vendore është duke punuar për hartimin e listës përfundimtare që do të dorëzohet në KQZ, ditën e hënë, më 13 maj, që është edhe afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshillat bashkiakë.
Kreu i PS-së, Luan Zaza, bën të ditur për DurrësLajm se është duke u punuar dhe nuk ka akoma një listë përfundimtare me të gjithë emrat e përzgjedhur. Sipas Zazës, gjithçka do të jetë gati për ditën e hënë, kur do të dërgohen 51 emrat në KQZ. Zaza bën të ditur se lista do të jetë e përbërë nga kandidatë meshkuj dhe femra, në raportin 50/50. Kryetari vendor i PS-së nuk përjashton faktin se këshilltarë aktualë do të jenë të përfshirë në listën e re dhe në të njëjtën kohë nënvizon se emra të rinj do të bëhen pjesë e saj. Sipas tij, lista mund të ketë ndryshime deri në orët e fundit dhe do ta marrë formën e saj përfundimtare mbrëmjen e së hënës.
Anëtarët e këshillit bashkiak janë të përzgjedhurit nga partitë politikë që vendosin me votën e tyre në mbledhjet e këshillit kalimin ose jo projekt-vendimeve të propozuara nga ana e bashkisë lidhur me investimet, buxhetin etj.
Megjithëse kryebashkiaku Dako pati fituar me një diferencë prej 13 mijë votash me rivalen Grida Duma, ai nuk kishte shumicën e anëtarëve në këshill. Gjithsesi kjo nuk e ndaloi Dakon të merrte aprovimin për të gjithë propozimet e dërguara në këshill, pasi në jo pak raste këshilltarët e LSI-së kanë bashkuar votat me ata të PS-së.
Madje kjo u vu re edhe në mbledhjet e fundit të këshillit, kur megjithëse LSI ka dorëzuar mandatet në Kuvend dhe i është bashkuar protestave të PD-së, këshilltarët e saj kanë dhënë OK-in për propozimet e administratës së Dakos.
M.B.





