Së paku tre prej 6 personave të arrestuar si autorë të atentatit të mbrëmshëm në Shkodër nuk janë të panjohur për policinë.

Dy prej tyre, Behar Brajoviq (Bajri), 36 vjeç dhe Ilir Rustemi (Bajri), 40 vjeç janë kontigjent i njohur për policinë, madje të dënuar edhe më parë.

Madje për shkak të veprave kriminale, mbiemri i tyre është shumë i njohur në Shkodër. Behar Bajri ka kryer madje edhe 7-8 vite burg.

Krimet e Behar Bajrit 

Me datë 28.01.2000 në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Ngjarja për të cilën shtetasi Behar Bajri është deklaruar fajtor ka ndodhur me datën 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë krim Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.

Me datë 18.08.2006 shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.

Me datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkdrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.

Me datë 14.01.1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.

Me datë 15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.

Me datë 21.03.1999 Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.

Me datë 26.06.2002 në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri.

Me 4 gushtit të vitit 2006, Ilir Bajri Ilir akuzohet se ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve. Vrasja pati ndodhur pas një konflikti të dy autorëve me dy nga djemtë e viktimës, që janë pronarë të një lokali në Velipojë.

Autori kishte frekuentuar lokalin në Velipojë dhe në gjendje të pirë ka shkaktuar trazira në të. Kjo ka bërë që pronarët, djemtë e viktimës t’i kërkojnë Bajrit të mos vinte më në lokalin e tyre, pasi po u largoheshin klientët.

Nga kjo, autori është ndjerë i fyer dhe ka shkuar në Shkodër, tek shtëpia e Pal Kosterit dhe pasi e ka thirrur atë të dalë jashtë, e ka qëlluar me armë. Bashkëshortja e viktimës i ka identifikuar autorët, të cilët i njihte dhe më parë.

 

Njoftimi i policisë për plagosjen në Shkodër

Episodi i rëndë ndodhi rreth orës 22:15 të së dielës, kur në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës u dëgjuan të shtëna armësh zjarri. 

Nga veprimet e shpejta hetimore, përfshirë mbledhjen e dëshmive, agjentët kanë arritur të identifikojnë autorët, duke vënë në pranga shtetasit:

Behar Brajoviq, 36 vjeç, banues Shkodër (i dënuar më parë);
Ilir Rustemi, 40 vjeç, banues në  Shkodër, (i dënuar më parë);
Bledar Lekaj, 26 vjeç, banues në Shkodër (i dënuar më parë);
Donald Shtjefni, 31 vjeç banues në Shkodër;
Kristjan Shtjefni, 26 vjeç, banues në Shkodër;
Patrik Salaj, 21 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. 

Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet A.M, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për ngjarjen në fjalë, e cila sipas hetuesve ka nisur për motive të dobëta. 

Nga hetimet është zbuluar se shtetasit në fjalë kanë qenë të ndarë në dy grupe. Donald Shtjefni, Kristian Shtjefni dhe Patrik Salaj kanë qenë në bordin e një automjeti tip “BMË” i llojit X5, me targë “SB 60 CEA”; ndërsa Behar Brajoviq, Ilir Rustemi dhe Bledar Lekaj në bordin e një tjetër automjeti, edhe ky “BMË”, me targë “AA 006 NL”. 

Në ecje e sipër dy palët janë konfliktuar me njëra-tjetrën duke mos ngurruar të përdorin armët e zjarrit, të cilat kanë bërë që një nga automjetet të dalë nga rruga dhe që personat që ndodheshin në të të merrnin lëndime. 

Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 10 gëzhoja model 56, 5 gëzhoja model 54, 2 pistoleta, 1 automatik, 4 krehëra të mbushur me plumba, 4 telefona celularë dhe 2 automjete. 

Materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së qarkut verior për procedimin e mëtejshëm të çështjes, e cila ka formuluar tashmë akuzat e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtjes pa leje”.